Futboll

Rikthehet futbolli! Gjermania ngre siparin me derbin klasik te Ruhrit

“Die Gelbe Wand”, mitiku “Muri i verdhë” i tifozëve të Borusia Dortmund, do të shpërndahet i gjithi për ta ndjekur futbollin nga sot para televizorëve, duke filluar me derbin me Shalken. Një ndeshje ndryshe, me një sfond akustik surreal, por në këtë kohë tifozët gjermanë mund të kënaqen edhe me kaq. Sepse futbolli kthehet sot, në orën 15.30.

Kthehet me “Revierderby”, një klasike e futbollit europian, sfida e Ruhrit mes qymyrit dhe çelikut, që bëhet “minierë” edhe për gola. Erling Haland, bomberi adoleshent më shpërthyes i momentit, që ka shënuar 9 gola në Bundesligë para dy muajve të ndërprerjes, zbret sot në fushë. Në fakt, është e gjithë Borusia e trajnerit Favre, edhe pse u eliminua nga Liga e Kampionëve nga PSG-ja, që frikëson në sulm. Sanço, rritja e Thorgan Hazard dhe ylli i kristaltë, flamuri i skuadrës, Marko Rojs, janë për t’u pasur frikë. “Kush nuk e ndjen, nuk luan”, – ka thënë drejtori sportiv i Borusias, Zorc. Është normale që të ketë edhe pak frikë në këtë situatë.

Bajerni feston një gol. Gazeta Si, 16 maj 2020

Janë luajtur 25 javë dhe Borusia Dortmund riniset nga vendi i dytë, me 4 pikë më pak se Bajerni. Bavarezët, para pandemisë, me Flik në stol, rikuperuan shumë pikë dhe u rikthyen në krye. Bajerni e ruan vendin e parë edhe në rast se surprizohet të dielën në Berlin, në ndeshjen kundër Unionit. Por Rumenige, administratori i Bajernit, nuk i pranon shakatë: “Kampionati ynë është i pari që rinis dhe sa të jetë kështu, do të kemi miliarda telespektatorë që na shohin”, – ka thënë ai.

Lufta është ende e hapur për titullin kampion në Bundesligë. Janë 5 skuadra në garë, pasi nga Bajern Mynih te Bajer Leverkusen janë 8 pikë diferencë. Në mes është Lajpcigu i Nagelsman, emri i të cilit qarkullon për stolin e Milanit. Këtë sezon, – pas 32 pikëve të grumbulluara në kampionat, – ai është bërë trajneri më i ri në moshë që shkon në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Lajpcigu ndeshet me Frajburgun, ndërsa një tjetër Borusia, ajo e Mënshengladah, ka hedhur idenë për të vendosur kartonë në ulëset e stadiumit për të krijuar atmosferën e spektatorëve.

Gjermania është e para që rifillon futbollin nga kampionatet më të fortë në Europë. Anglia, Spanja dhe Italia do ta ndjekin Bundesligën nga ekrani, ndërsa Franca nuk ka më futboll për këtë sezon. Me shumë interes pritet rifillimi i Bundesligës për të parë dhe se si do të menaxhohet situata, nëse do të ketë lojtarë pozitivë me Kovid-19. Nuk do të ketë karantinë skuadre, por individi. Bundesliga është në gjendje të rifillojë për shkak të organizimit perfekt dhe stabilitetit ekonomik, social dhe shëndetësor në raport me vendet e tjera. Nëse sezoni lihet në mes, shumë klube falimentojnë, pasi humbasin përfitimet e të drejtës televizive. Rikthehet sot futbolli i së shtunës në orën 15:30, faza 2 vërtet ka filluar në Gjermani.

Sot luhen ndeshjet Borusia Dortmund-Shalke, Lajpscig-Frajburg, Hofenheim-Herta, Fortuna Dyseldorf-Paderborn, Augsburg-Volfsburg dhe Eintraht Frankfurt-Borusia Mënshengladbah. Të dielën luhen ndeshjet Këln-Mainc dhe Union-Bajern, kurse të hënën Verder-Bajer Leverkusen. Bajerni udhëheq me 55 pikë, i ndjekur nga Borusia Dortmund me 51 dhe Lajpcigu 50.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë