Futboll

Përmbyset situata e Kumbullës, Igli Tare i parakalon të gjithë

Ka zhvillime të reja në lidhje me të ardhmen e Marash Kumbullës, mbrojtësit 20-vjeçar të Kombëtares. Igli Tare duket se ka ndryshuar strategji sa i takon përforcimit të mbrojtjes së Lacios dhe në këtë moment, sipas “Gazzetta dello Sport”, ka parakaluar rivalët për të marrë shërbimet e futbollistit të Veronës.

Tare dhe Inzagi e dinë mirë se mbrojtja duhet përforcuar dhe pasi janë vlerësuar dy pista deri tani, ajo e Dejan Lovren të Liverpulit dhe Koates të Sportingut të Lisbonës, drejtori sportiv i Lacios ka vendosur të përqendrohet te një profil diametralisht i kundërt: te një i ri si Marash Kumbulla. Mbrojtësi shqiptar cilësohet si një nga ata lojtarë me të ardhme të sigurt dhe pavarësisht moshës së re, vlerësohet gati që tani nga specialistët për të bërë hapin e madh.

Igli Tare, drejstori sportiv i Lacios. Gazeta Si, 17 maj 2020

Edhe më parë Igli Tare e ka pranuar se është i interesuar për Kumbullën, madje është folur se ai ka takuar edhe familjarë apo njerëz të afërt të futbollistit shkodran. Ditët e fundit, me sa duket, gjërat kanë lëvizur me shpejtësi dhe Lacio është kandidate kryesore për të blerë nga Verona 20-vjeçarin. Interi mbetet gjithmonë një kandidat serioz për Kumbullën dhe zikaltrit kanë në krahun e tyre edhe dëshirën e vetë lojtarit, por kuptohet që së pari vendos ana ekonomike.

Verona kërkon 20 milionë euro për shqiptarin që ndiqet edhe nga klube jashtë Italisë. Në të tilla raste Igli Tare e ka treguar se është në gjendje të fitojë konkurrencën me klubet e tjera. Po ashtu, fakti që bëhet fjalë për një futbollist shqiptar, mund të ketë ndikim në arritjen e marrëveshjes. Në këtë moment, janë vërtet të mëdha shanset që Kumbulla të jetë në një ekip me Strakoshën sezonin e ardhshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë