Futboll

Nga Shnelinger te Bierhof, 7 gjermanët e historisë së Milanit

Ka pasur mbi të gjitha koloni holandeze dhe braziliane. Kur thua Milan, këto dy vende të vijnë menjëherë në mendje, sepse lidhen edhe me triumfet më të bukura. Tani klubi kuqezi mund të hapë një faqe të re në histori dhe të bëhet gjerman, një pistë e paeksploruar, pasi gjermanët më shumë kanë qenë të lidhur me Interin në të kaluarën.

Tifozët e Milanit mbeten skeptikë, pasi kanë parë që pronarët kinezë nuk bënë asgjë dhe tani, me një fond amerikan në krye, nuk po shohin skuadrën që ata duan. Tashmë futbolli i globalizuar nuk përbën lajm dhe ajo që ka rëndësi është projekti, që te Milani duan t’ia besojnë dyshes gjermane, Rangnik-Nagelsman. Janë emrat më të nxehtë për sezonin e ri te kuqezinjtë, Rangnik përgjegjës i sektorit teknik dhe Nagelsman trajner. Do të ishte hera e parë në histori që Milani do të drejtohej nga një trajner gjerman. Në anën tjetër, fanellën kuqezi e kanë veshur më parë disa lojtarë gjermanë. Në total janë 7 lojtarët gjermanë të Milanit, me Bierhof “flamurmbajtës”.

Karl Hainc Shnelinger, gjermani i Milanit. Gazeta Si, 17 maj 2020

Oliver Bierhof, aktualisht menaxher i kombëtares gjermane, është emri më “gjerman” i Milanit të kohëve moderne. Ai ka luajtur me fanellën kuqezi për 3 sezone, 1998-2001, duke fituar një titull. Kuqezinjtë e morën nga Udineze, ku ai shënoi 27 gola në sezonin 1997-98. Në memorien e tifozëve të Milanit mbetet gjithmonë si një nga ekspertët e goditjes me kokë. Bierhof shënoi me Milanin 44 gola në 119 ndeshje. Karl Hajnc Shnelinger, mbrojtës krahu dhe libero, ka luajtur për Milanin në vitet ’60-70 për 9 sezone. Ishte një periudhë e artë për Milanin dhe ai luajti 334 ndeshje dhe shënoi 3 gola. Shnelinger fitoi 8 trofe me fanellën kuqezi, mes tyre 1 Kupë Kampionësh dhe 1 Kupë Interkontinentale.

Zige, Lehman dhe Bierhof, kur luanin te Milani. Gazeta Si, 17 maj 2020

Kristian Zige, mbrojtës i majtë, është një tjetër gjerman i Milanit. Ai luajti 2 sezone për të, 1997-1999. U ble nga Bajerni, duke fituar konkurrencën me Juventusin, por me kalimin e muajve doli nga skena. Fitoi një titull me kuqezinjtë, luajti 47 ndeshje dhe shënoi 4 gola. Nuk ishte ndonjë aventurë aq e bukur, ashtu si dhe ajo e portierit Jens Lehman, të cilin Milani e bleu nga Shalke. Bashkëpunimi zgjati vetëm 6 muajt e parë të sezonit 1998-99, më pas ai kaloi te Borusia Dortmund, pasi te Milani u kthye Seba Rosi.

Johan Madler, sulmues, ka qenë pjesë e Milanit 4 sezone, 1901-02 dhe 1906-1909. Ka luajtur 6 ndeshje dhe ka shënuar 3 gola për titullin e 1907-ës. Hans Heuberger, mbrojtës, luajti për Milanin gjatë sezonit 1905-06, 6 ndeshje dhe 1 titull i fituar. I fundit, Maks Laish, mesfushor sulmues, ka luajtur 2 ndeshje dhe ka shënuar 1 gol për Milanin në sezonin 1908-09. Ka qenë mes atyre lojtarëve që kanë luajtur derbin e parë milanez në histori.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë