Politike

Rama i përgjigjet Budinës: Mos fol me gjuhën e opozitës

gazetasi

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë në lidhje me shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Ai nuk komenton drejtpërdrejtë as aktin e shembjes, as ndërhyrjen e policisë dhe as përplasjet mes këtyre të fundit dhe qytetarëve e artistëve. Por i drejtohet drejtpërdrejtë regjistori Edmond Budina, një prej anëtarëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

Rama thotë se Budina është në të drejtën e tij që të mendojë të kundërtën e asaj që mendon, sipas Kryeministrit, shumica e artistëve.

“Dy fjalë njeriut të mirë Edmond Budina: Je në të drejtën tënde të vazhdosh të mendosh ndryshe nga Robert Ndrenika,Luftar Paja, Gëzim Kame,Viktor Zhusti,Ruzhdi Pulaha,Pirro Milkani,Albert Minga, Altin Basha e plot të tjerë,që janë historia e vjetër dhe e re e skenës kombëtare…Je në të drejtën tënde të mendosh njësoj si partitë e atyre që s’kanë ngulur një gozhdë për artin,kulturën,teatrin e donin ta kthenin edhe TK në zgjatim të politikës së tyre me bishtin kular në këmbët e Shqipërisë, ku çdo punë e jona përbaltet me fjalorin ekstrem të vulgaritetit”, thotë ai.

Por, ajo që Kryeministri nuk “ja fal” është gjuha e përdorur prej Budinës, që Kryeministri e cilëson sharje, fyerje dhe përpjekje për t’iu imponuar shumicës.

“Por ty nuk të takon të shash,fyesh e shpifësh njësoj si ata e as nuk ke të drejtë t’i imponohesh vullnetit të qeverisë,bashkisë apo shumicës së komunitetit teatror, sepse sharjet e fyerjet s’janë art, shpifjet s’janë trashëgimi kulturore dhe demokracia nuk është teatër absurd. Unë s’jam as shenjt e as i pagabueshëm dhe nuk ndal dot askënd të më pikturojë si djall, por unë kam lidhje autorësie me punët e zeza që më akuzoni,po aq sa ç’kanë lidhje me Shekspirin dhe Molierin ato partitë që u ngulën tek teatri si në sheshin e radhës për përsheshin e radhës!”, shtoi Rama.

Më herët, Edmond Budina e cilësoi shembjen e teatrit një akt kriminal, ku janë marrë zvarrë artistët dhe intelektualët. Me këtë akt, tha ai, është vendosur diktatura dhe shton se Shqipëria qeveriset nga mafia. Ai bëri thirrje për protesta dhe Presidentit Ilir Meta i kërkoi shpërndarjen e Parlamentit.

Regjisori Edmond Budina

“Të ngrihet populli, ky është momenti. Zoti Soreca, na dhatë fjalën që do të ndërhyni, nuk e bëtë. Këtu ka një bashkëpunim të jashtëzakonshëm kriminal. Unë i akuzoj të gjithë përderisa futën fadromat për të vrarë njerëzit. Unë i bëj thirrje Presidentit, është momenti të shpërndahet Parlamenti ilegjitim. Këtë e ka detyrim, kundrejt popullit të vet, sepse edhe akti i fundit u krye. Shteti donte të derdhte gjak ndërkohë që ne ishim brenda”, deklaroi Budina.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë