Politike

“Teatri” shemb tryezën për reformën zgjedhore

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë bojkotuar mbledhjen e kësaj të hëne të Këshillit Politik për reformën zgjedhore. Largimi nga tryeza e dialogut u paralajmërua një natë më parë nga Lulzim Basha.

Kreu i PD-së u pyet nëse me përshkallëzimin e ri të krizës politike do të kishte reformë zgjedhore. “Jo nuk do të ketë!”, u përgjigj ai shkurtimisht.

Basha njoftoi gjithashtu se opozita do të mbështesë protestën e thirrur në orën 16:30 nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Reforma zgjedhore është njëri prej kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian për hapjen zyrtare të negociatave. PD dhe LSI kanë deklaruar se nuk heqin dorë nga kërkesat e tyre për qeveri kujdestare, kërkesë kjo që është rrëzuar si nga Damian Gjiknuri në Këshillin Politik, ashtu edhe nga Kryeministri Edi Rama.

Socialistët nga ana tjetër janë kundërpërgjigjur me dy kushte, që kanë të bëjnë me depolitizimin e administratës zgjedhore dhe përjashtimin nga mundësia për t’u zgjedhur anëtarë të Kolegjit Zgjedhor të gjyqtarëve që nuk kanë kaluar vettingun.

Opozita thotë se nuk mund të ketë depolitizim të administratës zgjedhore përsa kohë nuk depolitizohet e gjithë administrata publike, ndërsa kushtin e dytë të mazhorancës, atë për emërimin në Kolegj vetëm të gjyqtarëve që kanë kaluar vettingun, e sheh si mekanizëm të socialistëve për të kapur procesin dhe vulosur vjedhjen e zgjedhjeve.

Këshilli Politik u ngrit në fillim të këtij viti si produkt i konsensusit mes mazhorancës dhe opozitës me objektiv miratimin e reformës zgjedhore brenda 15 marsit. Por, kriza e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit e ndërprenë punë.

Megjithatë, për opozitën Këshilli Politik e kishte përmbyllur misionin e tij dhe i takonte mazhorancës që të shprehej për propozimet e bëra prej saj. Por, mazhoranca deklaronte se kishte disa çështje ende të hapura dhe kërkoi mbledhjen e këtij Këshilli. Palët u ulën në tryezë edhe me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, ndërsa mbetet për t’u parë nëse këta të fundit do t’ja dalin mbanë që t’i rikthejnë partitë politike në tavolinë, pas përshkallëzimit të krizës për shkak të prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë