Futboll

Nis stërvitja ekipore, futbollistët nxjerrin mallin e fushës

Nga sot, skuadrat e të gjitha niveleve të futbollit shqiptar, mund të stërviten normalisht në fushat e tyre. 18 maji ishte fiksuar si data e rinisjes së stërvitjes individuale, por më pas skuadrave iu dha e drejta të stërviten në grup. Pas më shumë se dy muajsh futbollistët kthehen në fushë, kuptohet jo si më parë, por me disa rregulla që përmban protokolli i sigurisë.

Së pari, çdo klub ka për detyrë të dezinfektojë qendrën stërvitore apo fushën ku kryen stërvitje çdo ditë dhe të pajiset me certifikatën përkatëse. Ka edhe rregulla të tjera të imponuara nga situata e koronavirusit, por e rëndësishme është që futbollistët janë kthyer në fushë, pa të cilën nuk ka kuptim profesioni i tyre. Gjatë muajve të karantinës ata kanë punuar në kushte shtëpie, kryesisht me pjesën aerobike, si dhe kanë kryer vrapime në natyre gjatë fashës orare që lejonte qeveria, ndaj dhe i kishte marrë malli për fushën.

Nga stërvitja e sotme e Teutës në stadiumin “Niko Dovana”.Gazeta Si, 18 maj 2020

Nga sot ata janë më të lirshëm dhe seanca e parë stërvitore është më shumë një çmallje me fushën e blertë. Teuta është ndër të parat skuadra që ka nisur stërvitjen paraditen e sotme. Shumica e klubeve stërviten gjatë orëve të vonave të pasdites, pasi temperaturat janë të larta dhe tani nuk ka më kufizim orari nga qeveria.

Ka edhe pak konfuzion në fakt. Ndonjë klub, kryesisht nga kategoritë e ulëta, heziton të stërvitet, duke pritur konfirmimin nga qeveria të një datë për rifillimin e aktiviteteve. FSHF-ja dhe klubet kanë përcaktuar javën e parë për rinisjen e kampionateve, Superiorja më 3 qershor dhe kategoritë e tjera më 7 qershor, por duhet edhe një miratim nga ana e qeverisë për t’i quajtur zyrtare këto data. Për momentin, është hedhur një hap i rëndësishëm përpara sa i takon futbollit. Ekipet nuk janë ende të plota, pasi kanë lojtarë që ndodhen jashtë vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë