Sport

Armstrong e pranon: Jam dopuar që 21 vjeç, por do fitoja gjithsesi

Lens Armstrong përbën lajm gjithmonë. Gjatë një dokumentari për jetën e tij, që do të transmetohet nga “Espn”, ish-çiklisti nga Teksasi ka zbuluar një detaj të rëndësishëm. Amerikani i skualifikuar përjetësisht për përdorim dopingu në vitin 2012, kur i janë hequr 7 fitore të “Tour de France”, ka pranuar disa herë se ka marrë substanca të ndaluara gjatë karrierës.

Amstrong ka pranuar atë që të gjithë kanë dyshuar gjithmonë: dopingu mund t’i ketë shkaktuar kancerin, nga i cili ish-çiklisti amerikan u shërua. “Nuk e di me siguri, nëse ka një lidhje mes këtyre gjërave, dopingut dhe kancerit, por sigurisht që nuk mund ta përjashtoj si mundësi. E vetmja gjë që mund të them është se e vetmja herë në jetën time që kam përdorur hormone rritjeje, ka qenë në vitin 1996. Që në sezonin tim të parë si profesionist (ka qenë 21 vjeç) kam përdorur kortizon”, – është shprehur Amstrong.

Amerikani pohon gjithashtu një fakt tjetër: “Nuk dua të gjej justifikime, por në atë kohë të gjithë përdornin substanca të ndaluara, ishin pjesë e një sistemi. Gjithsesi, unë do të kisha fituar edhe pa u dopuar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë