Presidenti Ilir Meta e krahason nivelin e demokracisë dhe të lirisë aktuale të vendit me atë të periudhës së komunizmit dhe u bën thirrje qytetarëve që të ngrihen në protesta për të mbrojtur lirinë.
“Të gjithë të ngrihemi për demokracinë! Kur ngrihet populli bie tirania! Liria fitohet dhe nuk dhurohet”, shkruan ai.
Meta e cilëson muajin maj si të veçantë, duke përkujtuar dy revoltat kundër diktaturës në burgun e Spaçit dhe të Qafë-Barit.
“Ne nderojmë me mirënjohje zemërluanët e Qafë-Barit dhe të Spaçit, dy burgjeve më të tmerrshme, të cilët guxuan të ngrihen e të luftojnë për lirinë dhe të drejtat e tyre duke dhënë edhe jetën. Ata thyen mitin e paprekshmërisë të regjimit kriminal dhe treguan se nuk mund të ishte i përjetshëm”, deklaron Presidenti.
Presidenti thotë se demokracia në Shqipëri ka rënë dhe kërkon që të gjithë t’u bashkohen lëvizjeve qytetarë, që sipas tij, po ngrihen në të gjithë vendin për të krijuar një front të bashkuar për rivendosjen e demokracisë përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme. Shembullin e ofron nga qëndresa e artistëve kundër prishjes së godinës së teatrit.
“Qëndresa për 27 muaj e artistëve është kauza më fisnike e këtyre dekadave dhe shembull frymëzimi për të gjithë ata të cilët kanë dinjitet dhe e meritojnë lirinë. Nderim zemërluanëve të Spaçit dhe Qafë Barit të cilët tronditën diktaturën më të egër të Europës. Nderim zemërluanëve të Aleancës të Mbrojtjes të Teatrit, të cilët fituan admirimin e mbarë Europës për kauzën e tyre fisnike dhe i hoqën maskën e fundit regjimit të dhunës kriminale”, thotë kreu i shtetit.
Ky është mesazhi i parë në të cilin kreu i shtetit bën hapur thirrje për protesta gjatë kohës së pandemisë. Ai e ndërpreu lëvizjen e nisur në fillim të marsit për atë që e quajti “mbrojtje të Kushtetutës dhe të shtetit ligjor” për shkak të pandemisë.
Mesazhi pason edhe deklaratën e ambasadores amerikane, Yuri Kim, që përmes një cicërime në rrjetet sociale bëri publike për herë të parë se ekzistojnë “zëra” që duan të ndërhyjnë tek reforma në drejtësi. Ndërhyrja tek reforma në drejtësi është propozuar edhe nga Presidenti Meta përmes një plani me disa pika për zgjidhjen e krizës.
Deklarata pason gjithashtu edhe takimin e Metës me Lulzim Bashën dhe aleatët opozitarë, në një kohë që Presidenca u vizitua nga ambasadorja e SHBA dhe ambasadori gjerman në Tiranë, por që u pritën nga këshilltarët e Presidentit. Po ashtu, Meta pati edhe një takim me një grup ambasadorësh të vendeve të BE.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje