Presidenti Ilir Meta vlerësoi pas vdekjes me “Dekoratën e Flamurit” Heroin e Popullit, Vasil Laçi, ku fjalën përshëndetësi me këtë rast e shfrytëzoi për të përçuar tek rinia mesazhin se edhe një njeri i vetëm mund të kontribuojë duke dhënë një mesazh të madh e frymëzues.
“Se çdo individ i thjeshtë mund të bëjë pjesën e tij në luftën kundër pushtimit dhe çdo lloj tiranie. Se një zjarr patriotizmi në zemrën e një njeriu të thjeshtë mund të sjellë një dritë të madhe në terrin e shtypjes, pushtimit dhe sundimit të një populli. Se liria është gjëja më e çmuar për ne! Se ajo mbrohet me çdo akt e sakrificë. Duke i kujtuar brezave se liria nuk dhurohet por fitohet. Se çdo formë tiranie kërkon qëndresë, reagim individual por edhe kombëtar. Një popull që harron të kaluarën nuk e gjen dot rrugën për të ardhmen e tij për liri”, tha Presidenti.
Mesazhit të kreut të shtetit nuk mund t’i jepej ndonjë kuptim tjetër nëse nuk do të përçohej në këto ditë, kur është rindezur në pikat më të larta përplasja e tij me Edi Ramën, që e akuzon se po instalon diktaturën. Por, në ceremoninë e dekorimit të Vasil Laçit Meta ka besim se populli shqiptar nuk do ta lejojë që kjo të ndodhë.
“E vetmja gjë që lejon të keqen të triumfojë është kur njerëzit e mirë vendosin të mos bëjnë asgjë. Falë kësaj dashurie për lirinë, shqiptarët nuk do kthehen më kurrë në diktaturë dhe i madh e i vogël në këtë vend nuk do lejojë instalimin e asnjë regjimi tiranik dhe anti-kombëtar, por ata do ecin përpara krenarë dhe me dinjitet drejtë së ardhmes demokratike dhe evropiane të vendit, një ëndërr lirie e heroit tonë Vasil Laçi, një ëndërr e çdo të riu shqiptar edhe sot e përgjithmonë”, thotë ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje