Futboll

Valencia kërkon hetim nga UEFA për Gasperinin: I papërgjegjshëm!

Valencia kërkon nga UEFA të nisë një hetim për trajnerin e Atalantës, Xhanpiero Gasperini. Lajmi bëhet i ditur nga “Marca”, që shpjegon se Gasperini është vënë në shënjestrën e klubit spanjoll pas rrëfimit të tij se ishte prekur nga koronavirusi në kohën kur u luajt ndeshja e Ligës së Kampionëve me Valencian, më 10 mars. Ana Barcelò, përgjegjëse e departamentit sanitar të Valencias, e ka quajtur të papërgjegjshme sjelljen e Gasperinit.

Pasi publikoi një komunikatë që censuronte fjalët e trajnerit të Atalantës, Valencia tani kërkon hetim nga UEFA, sepse, nëse do të dihej që trajneri italian kishte simptoma të Kovid-19 në atë kohë, skuadra duhej të ishte karantinuar sipas protokollit dhe nuk do të kishte zbritur në fushë.

Gasperini feston me ekipin kualifikimin ndaj Valencias. Gazeta Si, 3 qershor 2020

Gjithçka vjen pas deklaratave të Gasperinit për simptomat që kishte para ndeshjes në “Mestalla”, më 10 mars. Atalanta fitoi 4-3 në ndeshjen e kthimit të fazës së 1/8-ve dhe siguroi kualifikimin historik në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Pas asaj ndeshjeje, te Valencia rezultuan pozitivë 10 lojtarë dhe 15 punonjës të klubit. Sipas klubit të Valencias, Gasperini ka vënë në rrezik shëndetin e personave të tjerë me gjendjen e tij para dhe gjatë ndeshjes.

Disa ditë më parë trajneri itlian zbuloi se nuk ishte ndjerë mirë ditën para ndeshjes. “Në stol nuk ndihesha mirë, ndërsa dy netët e ardhshme kam fjetur pak. Ndihesha copë-copë, sikur e kisha temperaturën 40”, – ka deklaruar Gasperini mes të tjerash.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë