Franca ishte një nga të parat vende që vendosi mbylljen e kampionatit të futbollit. Që atëherë pati shumë debate, por ato u shtuan ndjeshëm në momentin që kampionatet e tjera të mëdha europiane vendosën zyrtarisht për rifillimin e garës në fushë. Të gjitha klubet e prekura dhe shtypi francez janë kundër qeverisë për atë veprim, që nga të gjithë vlerësohet i nxituar.
Presidenti i Lionit, Mishel Aulas, ende nuk është dorëzuar në luftën për mbylljen e sezonit në fushë dhe me shpresën se do ta fitojë gjyqin, pas padisë që ka depozituar në Këshillin e Shtetit, ai i ka shkruar një letër edhe presidentit të UEFA-s, Aleksandër Ceferin, të cilit i kërkon shtyrjen e datës së mbylljes së kampionateve në Europë përtej 2 gushtit.

Ceferin i ka kthyer përgjigje, duke shpjeguar se nuk mund të ketë një datë tjetër përtej 2 gushtit, siç është përcaktuar në vendimin e mëparshëm. “Në këtë fazë nuk mund të ndryshojmë vendimin dhe shpresojmë që të miratohet zyrtarisht në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s më 17 qershor. Në fakt, për të garantuar trajtimin e barabartë të 55 federatave tona, nuk mund të marrim në konsideratë situatën specifike të asnjë vendi dhe të vendimeve që janë marrë nga organet kompetente. Për këtë arsye, kërkojmë nga federatat të respektojnë datën limit të 2 gushtit”, – shkruan kreu i UEFA-s, Ceferin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje