Futboll

Kumbulla intrigon Interin, Juven dhe Lacion, sfidë titulli për shqiptarin

Një nga pistat më të nxehta të merkatos verore në Itali është pa dyshim Marash Kumbulla, shqiptari që kërkohet nga shumë klube të mëdha dhe shtypi sportiv italian e ka shpesh në qendër të vëmendjes. Prestigjiozja “Gazzetta dello Sport” ka shkruar sërish për mbrojtësin e qendrës, duke e konsideruar mjaft intriguese të ardhmen e tij dhe një sfidë titulli, duke qenë se në garë janë tre kryesuesit në Itali. Ja çfarë shkruan konkretisht kjo gazetë:

Marash Kumbulla deri një vit më parë ishte i njohur vetëm nga ekspertët e sektorit të të rinjve në Itali, ndërsa sot ai e lexon emrin e tij rregullisht në artikujt e gazetave që i referohen interesimit të Interit, Juventusit, Lacios, Napolit, skuadrave angleze dhe atyre gjermane.

Artikulli i “Gazzetta dello Sport” për Kumbullën. Gazeta Si, 7 qershor 2020

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare shihet si një nga mbrojtësit më të mirë të së ardhmes dhe jo më kot tre skuadrat që luftojnë për titullin në Serinë A, janë më të kuotuarat për të pasur shërbimet e Kumbullës. Lojtari intrigon Juventusin, Interin dhe Lacion dhe shitja e tij në verë është një nga siguritë e pakta të kësaj merkatoje. Napoli ishte ekipi i parë që lëvizi për shkodranin, kurse tani është radha e klubeve të mëdha.

Nuk është e thjeshtë të kuptohet se si do të përfundojë kjo çështje. Ka një klub favorit në këtë rast, është Interi, por “ndeshja” është e hapur dhe në të përfshihen edhe skuadra jashtë Italisë, sidomos ato gjermane, si Borusia Dortmund dhe Lajpcigu. Por këto të fundit duken një hap prapa në këtë moment. Çështja kryesore, si gjithmonë, është çmimi i lojtarit. Verona kërkon 35 milionë euro dhe ëndërron që ta mbajë edhe për një sezon lojtarin, sidomos nëse trajneri Juriç qëndron. Situatë e komplikuar, mjaft e komplikuar, ndërsa vetë Kumbulla është gati për hapin e madh dhe javët e ardhshme duhet të bëjë zgjedhjen e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë