Politike

Pse Basha e mbylli kapitullin për reformën dhe kleçka për vendoren

Ende pa u tharë boja e firmosjes në shqip të marrëveshjes për “zgjedhoren”, Lulzim Basha, mblodhi strukturën drejtuese të partisë, kryesinë, për të filluar punën në bazë.

Me firmosjen e marrëveshjes, ku nuk u arrit asgjë më shumë nga ajo që është në Kod, (përveç identifikimit biometrik, edhe ajo pezull) Lulzim Basha mblodhi me shpejtësi kryesinë e partisë për të përcjellë disa mesazhe konkrete:

Së pari; marrëveshja e firmosur nga të dyja palët ishte hapi i parë dhe se tani duhet filluar me përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, për implementimin e saj.

Të dielën, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i propozoi kryesisë së partisë nisjen e procesit të përzgjedhjes, konsultimit dhe seleksionimit të kandidaturave për zgjedhjet parlamentare dhe vendore.

Së dyti; Basha i mbylli derën edhe diskutimit që vijon opozita parlamentare (që ka edhe votat për miratimin e Kodit) se në zgjedhjet e afërme duhet shkuar me lista të hapura.

Basha kujtoi gjatë mbledhjes së kryesisë atë që ai ka ndryshuar me propozim të tij në statutin e PD-së, se zgjedhja e kandidaturave për deputetë dhe kryetar bashkie do të bëhet përmes parimit “një anëtar një votë”

PD-ja njoftoi zyrtarisht të dielën se, për herë të parë kandidatët për deputetë dhe kryetarë bashkie do të kenë votën e anëtarësisë së Partisë Demokratike.

“Përfshirja e anëtarësisë në përzgjedhjen e kandidatëve politikë të PD është një detyrim që u përfshi në statutin e PD me kërkesë të kreut të opozitës, si konkretizim i premtimit të tij se ai nuk do të bënte më kurrë i vetëm listën e kandidatëve për deputetë apo për kryetarë bashkie”, referonte burimi zyrtar i PD-së për mbledhjen e kryesisë.

Kryesia e PD-së përcaktoi edhe afate. Ky proces i përzgjedhjes së kandidaturave do të fillojë nga 20 qershori deri në 15 shtator.

Pas mbledhjes së kryesisë, Basha njoftoi gjithashtu se zgjedhjet brenda strukturave do të vijojnë paralelisht me paraqitjen e alternativës ekonomike të PD-së.

PD-ja po mban të ndezur tek njerëzit e tij edhe një debat të vjetër që lidhet me zgjedhjet lokale.

Nuk dihet se pse Basha përfshiu në proces përzgjedhjesh kandidaturash edhe kandidatët për kryetar bashkie, kur dihet se zgjedhje të parakohshme vendore nuk ka.

Ka vetëm zgjedhje të pjesshme në disa zona për të cilat Presidenti Ilir Meta (që ka kompetencën për të dekretuar zgjedhjet), nuk ka folur ende.

Si do të përzgjidhen kandidatët në PD

Brenda datës 15 qershor 2020, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së duhet të propozojë për miratim në Kryesi, udhëzimin për realizimin e procesit të përzgjedhjes, konsultimit dhe seleksionimit të kandidatëve.

Procesi në nivel dege për evidentimin/përzgjedhjen duhet të realizohet brenda periudhës 20 qershor – 31 korrik 2020.

Brenda datës 1 gusht 2020 duhet të ngrihet Komisioni i Vlerësimit të kandidatëve. Ndërsa procesi i seleksionimit të kandidaturave duhet të përmbushet  brenda afateve 1 gusht  – 30 gusht 2020. Procesi i fundit, ai i konsultimit të kandidatëve duhet të  përmbyllet në periudhën 1 shtator – 15 shtator 2020

Copyright ©️ Gazeta “Si”


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë