Marrëveshja për reformën zgjedhore e ka nxitur Jozefina Topallin që ta shohë politikën me pesimizëm të madh, veçanërisht në kampin opozitar.
Në një postim të gjatë në Facebook, Topalli, e frymëzuar nga protesta e të rinjve në Shkodër kundër dhunës, shkruan se opozita ka nevojë për një udhëheqës të ri, sepse vetëm në këtë mënyrë, sipas saj, vendi mund të fitojë rotacion.
Topalli e bazon tezën e saj tek bindja se, Rama dhe Basha do të bashkëqeverisin pas zgjedhjeve të 2021.
“Janë 3-4 vetë që mbajnë peng vendin. Këta kanë zhdukur praktikisht forcat politike përkatëse duke ruajtur vetëm gërmat e emrave të partive. Nuk ka më garë në këto parti, nuk ka më demokraci, nuk ka më votë brenda tyre, nuk ka as diskutime, as marrje mendimesh, kritika jo e jo. Për të mos u kthyer mbrapsht, mjafton të kujtojmë marrëveshtjen e fundit. Mbledhja e kryesisë së PD u bë pasi u firmos marrëveshja mes Ramës e Bashës. Dmth udhëheqësi i partisë jo vetëm nuk i konsideron, por dhe tallet me ta deri në përçmim. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në Partinë Demokratike me gjithë problemet që mund të kemi patur. Arsyeja është e thjeshtë. Zoti Luli Basha nuk toleron mendime ndryshe. Ai është larg parimeve demokratike dhe perëndimore”, – shkruan Topalli.
Ajo i mëshon fort idesë se marrëveshja për zgjedhjet e ardhshme është paradhoma për një qeveri të përbashkët në një të ardhme të afërt.
“Në marrëveshtjen e fundit me Ramën, përveçse tradhëtoi ‘kauzën’ e tij se ‘me Ramën nuk ka zgjedhje’ kërkoi një gjë që ka ikur nga vëmendja e medias,
lekë…lekë. Sikur të mos mjaftojnë milionat që shqiptarët paguajnë nga taksat e tyre për zhvillimin e zgjedhjeve, ata me marrëveshjen e re u dakordësuan me i dhanë vehtes nga buxheti i Shtetit dy herë më shumë para.
Por në thelb marrëveshtja ishte paradhoma për qeveri të përbashkët PD – PS me Kryeministër Ramën në 2021. Kjo është tepër!”, shkruan ajo. Ndaj dhe Topalli i qëndron mendimit se vetëm një udhëheqje e re, pa Bashën, mund ta mundë Ramën.
“Drejtuesit e partive kanë kuptuar një gjë: Po iku njëri ikin rresht, prandaj ata mbajnë fort njëri tjetrin.
Po të kishim një udhëheqës të ri e të pa korruptuar në krye të PD, vendi nuk do ishte pa opozitë; Parlamenti nuk do ishte teatër politik, por arenë debatesh e të vërtetash; ekonomia nuk do ishte kaq seriozisht keq, pasiguria dhe pabarazia nuk do ishte kaq e frikshme e mbi të gjitha Edi Rama nuk do ishte Kryeministër. Vetëm me një udhëheqje të re në krye të opozitës, populli opozitar mund Edi Ramën dhe atëherë vendi ynë do jetë më mirë…”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje