Politike

Shqipëria mund të humbasë fondet e BE nëse s’ka përparim në drejtësi

Me hyrjen në fuqi të metodologjisë së re të zgjerimit, Shqipëria rrezikon që të humbasë fondet e Bashkimit Europian të destinuara për reformën në drejtësi përmes misionit Euralius, nëse Komisioni nuk vëren përparim në përmbylljen e reformës dhe forcimin e sistemit të drejtësisë.

Sinjali është dhënë tërthorazi përmes Bosnje-Hercegovinës, të cilën Komisioni Europian e ka paralajmëruar se mund të ndërpresë fondet për forcimin e sistemit të drejtësisë për shkak të mungesës së progresit në hetimin, gjykimin dhe dënimin e rasteve korruptive dhe krimit të organizuar.

Radio Europa e Lirë raportoi fillimisht lajmin se Brukselit i ka sosur durimi pas 15 vitesh që ka shpenzuar mbi 30 milionë euro në këtë drejtim në Bosnje dhe së fundmi i ka kërkuar Sarajevës, ose ndryshim kursi dhe forcim të integritetit, paanshmërisë dhe efikasitetit të sistemit të drejtësisë, ose do të ndërpresë programin e asistencës financiare dhe me burime njerëzore.

Gazeta “Si” kontaktoi me zyrën e shtypit të Komisionit Europian me pyetjet nëse rrezikon që edhe Shqipëria të humbasë mbështetjen financiare për reformën në drejtësi dhe gjithë procesin e forcimit të shtetit ligjor, ashtu si Bosnja.

Por, duke qenë se bëhet fjalë për një rast hipotetik, nga ato që Komisioni nuk i komenton, përgjigjia që gazeta “Si” mori pas ishte pakënaqësia e Bashkimit Europian ndaj ecurisë së forcimit të sistemit të drejtësisë në Bosnje-Hercegovinë.

Komisioni Europian thotë se ka shpenzuar më shumë se 30 milionë euro në 15 vitet e fundit për të fuqizuar pavarësinë, integritetin dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë në Bosnje, sidomos përmes fondeve të drejtpërdrejta për Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Gjyqësorit në Bosnje dhe shpreh zhgënjimin që “forca të brendshme kanë penguar zbatimin e reformave”.

“BE është e zhgënjyer që zbatimi i reformave kyçe në Bosnje-Hercegovinë në sistemin e drejtësisë dhe përtej pengohet nga forca të brendshme. Jemi të zhgënjyer veçanërisht me faktin që asnjë progres nuk është bërë në ngritjen e një sistemi domethënës të kontrollit të integritetit, në linjë me rekomandimet e Komisionit dhe gjetjet e raportit të pavarur të ekspertëve mbi sundimin e ligjit”, thotë zëdhënësja e KE, Ana Pisonero për gazetën “Si”.

Për këto arsye, KE thotë se po rivlerëson ndihmën financiare në drejtim të Bosnjes për forcimin e sistemit të drejtësisë.

“Rezultatet e kufizuara me reformat në drejtësi rrezikojnë që të minojnë efektivitetin e mbështetjes financiare të Bashkimit Europian për drejtësinë”, vijon Pisonero, duke kujtuar se sundimi i ligjit mbetet një kriter kryesor për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë