Opozita parlamentare ka vendosur bojkotimin e punës së komisioneve në Parlament deri në një takim me Kryeministrin Edi Rama, për të diskutuar propozimet e tyre në lidhje me reformën zgjedhore.
Myslim Murrizi si përfaqësues i grupit parlamentar demokrat, Nimet Musaj si përfaqësues i grupit parlamentar të pavarur dhe Edmond Stojku si kryetar i grupit parlamentar “Demokraci dhe drejtësi” u takuan këtë të mërkurë me kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Të tre përfaqësuesit e opozitës parlamentare folën me bindje se nëse nuk votohen propozimet e tyre për reformën zgjedhore nuk do ta votojnë atë në Parlament.
“Jo arnime të Kodit. Grupi parlamentar që përfaqësoj nuk do të votojë reformën nëse nuk merren në konsideratë hapja e listave, depolitizimi i administratës zgjedhore dhe vota e emigrantëve”, deklaroi deputeti Myslim Murrizi.
Nimet Musaj vlerësoi takimin me Ruçin, por kërkoi që palët të rikthehen në tryezë me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve për të miratuar ndryshimet e tjera.
“Këshilli Politik nuk arriti qëllimin pse u mblodh. Shqiptarët nuk morën listat e hapura, depolitizimin dhe votimin e emigrantëve. Me Murrizin dhe Stojkun, presim kryeministrin. Të jeni të bindur se 31 deputetë nuk do ta votojnë këtë produkt të këitj Këshilli. Kemi kohë që të shikojmë deri në fund të korrikut edhe njëherë listat e hapura, depolitizimin e administratës dhe votën e emigrantëve”, tha Musaj.
Edmond Stojku tha se si aktore e vërtetë e reformës zgjedhore duhet të trajtohet opozita parlamentare dhe jo opozita në Këshillin Politik.
“Në rang institucional të kërkesave kërkuam takim me kryetarin e Kuvendit dhe diskutuam për mundësitë duke theksuar me të madhe që reforma zgjedhora ka faktorë dhe aktorë. Faktorët mund të japin propozime, por janë aktorët ata që vendosin. 39 deputetë kanë firmosur para një viti, të rifirmosur para 1 jave të gjithë kërkojmë takim me Kryeministrin Rama. Duke pritur Kryeministrim morëm vendimi që të mos vazhdojmë më mbledhjet e komisioneve parlamentare”, tha Stojku.
Mes palëve nuk ka patur dakordësi, por kjo nuk do të thotë se opozita parlamentare mund të bllokojë paktin e arritur në Këshillin Politik. Vetë deputetët opozitarë nuk janë të unifikuar në qëndrimet e tyre. Lefter Maliqi deklaroi publikisht pro me bindjen se pavarësisht listave të hapura, apo të mbyllura, Edi Rama nuk i fiton më zgjedhjet. Po ashtu, votë pro pritet edhe nga Rudina Hajdari, si një nga firmëtaret e ujdisë dhe duke njohur bashkëpunimin me ndërkombëtarët edhe nga Ralf Gjoni.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje