Ndërkombëtarët janë distancuar nga interpretimi nëse Ardian Dvoranit i ka përfunduar mandati si anëtar i Gjykatës së Lartë, apo jo dhe ja kanë lënë në dorë plotësisht Këshillit të Lartë Gjyqësor si interpretimin ligjor, ashtu edhe vendimmarrjen për këtë çështje.
Misioni Europian, Euralius dhe ai amerikan, Opdat i kanë kthyer përgjigje negative kërkesës së KLGj-së për të dhënë një opinion mbi këtë temë, duke deklaruar se nuk është në kompetencë të tyre shqyrtimi i rasteve individuale. Sipas ndërkombëtarëve, kjo çështje është ekskluzivitet i KLGj-së.
“Kërkesa juaj buron nga nevoja për të adresuar një çështje individuale. Në këtë kontekst, misioni Euralius dhe projekti Opdat theksojnë se, ndonëse ne jemi të përgatitur të ofrojmë asistencë teknike për Këshillin, ne nuk japim opinione për çështje individuale, pasi kjo është një përgjegjësi ekskluzive e Këshillit”, thuhet në letrën që ndërkombëtarët i kanë dërguar Këshillit.
Çështja “Dvorani” përfundoi në Këshillin e Lartë Gjyqësor pas një kërkese të Presidentit Ilir Meta. Kreu i shtetit i ka kërkuar Këshillit të Lartë Gjyqësor që të vendosë për përfundimin e mandatit si anëtar i Gjykatës së Lartë për Ardian Dvoranin e rrjedhimisht me këtë edhe largimin e tij nga posti i kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, që sipas përcaktimeve kushtetuese të 2016 i takon anëtarit të Gjykatës së Lartë në KED.
Dvoranit i ka përfunduar prej kohësh mandati i anëtarit të Gjykatës së Lartë dhe ka patur debate mbi kushtetueshmërinë e vazhdimit të ushtrimit të detyrës prej tij. Këtë ka shfrytëzuar Presidenti Meta, që i ka dërguar një shkresë KLGj-së ku i kërkon që të ndërpresë mandatin e Dvoranit.
Meta thotë se në 2016-të, në në kohën që Kuvendi po shqyrtonte ndryshimet kushtetuese në kuadër të reformës në drejtësi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi nenet e ligjit për funksionimin e Gjykatës së Lartë, mbi bazën e të cilave Ardian Dvorani vazhdonte të ushtronte detyrën. Presidenti thotë se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese sjell ndërprerjen e menjëhershme të mandatit të gjyqtarit të lartë për Ardian Dvoranin dhe se ai ka vijuar ushtrimin e detyrës në shkelje të Kushtetutës dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Meta akuzon Qeverinë se ka luajtur një rol thelbësor në këtë shkelje, duke bllokuar qëllimisht publikimi në Fletoren Zyrtare i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, derisa hynë në fuqi ndryshimet e reformës në drejtësi. Këto ndryshime sollën edhe modifikimet e rregullave për mandatet e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, duke u lejuar anëtarëve që u kishte përfunduar mandati qëndrimin në detyrë deri në momentin e zëvendësimit.
Letra e Metës është dorëzuar më 10 prill me protokollin numër nr.1117/2. Këshilli i Lartë Gjyqësor nisi shqyrtimin më 16 prill dhe në fillim të majit iu drejtua partnerëve ndërkombëtare me kërkesën për dhënie mendimi, përmes një vendimi të pabazuar ligjërisht, pasi misioni i ndërkombëtarëve nuk mund të interpretojnë ligjet, apo Kushtetutën e vendit. Interpretimi i tyre është e drejtë ekskluzive e gjykatave shqiptare dhe në rastin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, i vetmi organ ku mund të adresohej për interpretim duhej të ishte Gjykata Kushtetuese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje