Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu dhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj janë përplasur publikisht në mbledhjen e task forcës forcës për Turizmin, që u mbajt këtë të mërkurë në qytetin e Durrësit. Në këtë takim merrnin pjesë kryebashkiakët e qyteteve bregdetare dhe ministri i Turizmit, Blendi Klosi.
Ndreu ka shprehur pakënaqësi në lidhje me veprimet e vendimet e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, institucion ky në varësi të Ministrisë së Brendshme, që drejtohet nga Lleshaj. Kreu i Bashkisë së Lezhës akuzoi IKMT se nuk njofton paraprakisht pushtetin vendor kur ndërmerr aksione për prishjen e ndërtimeve pa leje, duke i kapur bashkitë të papërgatitura dhe paralajmëroi se nuk do të bëhet pjesë e një aksioni që mund të prishë këto ndërtime në prag dhe gjatë sezonit turistik. Ndreu tha se këtë shqetësim ja kishte ngritur edhe Kryeministrit.
“IKMT të vijë me një njoftim paraprak. Nëse më vjen ti mua dhe më shemb disa objekte, ti ma shemb turizmin. Nëse bëhet kjo, unë si bashki nuk marr pjesë. Ia kam thënë Kryeministrit dhe po e them edhe këtu: nëse ju mendoni se jemi policë të rreshtit, harrojeni! Se boll është bërë izolimi i kompetencave të pushtetit lokal. Sa ne të injorohemi në këtë mënyrë”, deklaroi ai.
Sandër Lleshaj i ktheu përgjigje, por në praninë e kamerave duket se nuk tha atë që mendonte. Ministri i Brendshëm u shpreh se IKMT vepron vetëm mbi bazën e ligjit dhe nuk këshillohet me kryebashkiakët pse dhe kur zbaton ligjin.
“Do të thoja ca gjëra, por po i kursej. Protokollet e IKMT janë të përcaktuara në ligj dhe zbatohen në mënyrë rigoroze. Sipas rregullave nuk negociohet me kryetarin e bashkisë për të vendosur ligjin në një vend ,ku është shkelur. IKMT do ta vazhdojë këtë punë bazuar në ligj, në raport me shkelësit IKMT do të veprojë drejtpërdrejt dhe nuk marrin autorizim as nga ministri dhe as nga kryetari i bashkisë dhe askush tjetër”, tha Lleshaj.
Debati është sheshuar, të paktën në sy të kamerave, nga ministri i Turizmit Blendi Klosi. Ky i fundit kërkoi largimin e mediave dhe vazhdimin e mbledhjes pa praninë e kamerave. Gjithcka është transmetuar drejtpërdrejtë në rrjetet sociale edhe nga Policia e Shtetit, por më pas video është fshirë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje