Futboll

Tare “gjuan” në Gjermani, dy mesfushorë intrigojnë drejtorin e Lacios

Bundesliga është një kampionat që Igli Tare e vlerëson gjithmonë. Ka luajtur në Gjermani nga viti 1994 deri në 2001-shin dhe Bundesligën e ka për zemër. Në këtë vend drejtori sportiv i Lacios ka njohur edhe bashkëshorten Sandra, kështu që lidhjet i ka të forta. Gjithmonë Tare e ka një sy në kampionatin gjerman dhe aktualisht janë dy mesfushorë që e intrigojnë.

I pari është Marko Grujiç, serbi 24-vjeçar i Hertës së Berlinit, por në pronësi të Liverpulit, dhe Denis Zakaria, zvicerani 23-vjeçar i Borusia Mënshengladbah. Për të shkuar te Grujiç është më e lehtë se te Zakaria. Janë dy profile mesfushorësh të nivelit të lartë, që Tare synon t’i ketë në skuadër për sezonin e ardhshëm, kur Lacio do të luajë në Ligën e Kampionëve.

Marko Grujiç me fanellën e Hertës. Gazeta Si, 10 qershor 2020

Grujiç, mes të tjerash, ka një sponsor të veçantë: Jurgen Klop. Trajneri gjerman i ka pasur gjithmonë në vëmendje të rinjtë. Në 2011-ën fitoi kampionatin me Borusia Dortmund, ku kishte lojtarë si Mario Gëce (në atë kohë 18 vjeç), Robert Levandovskin (22), Nuri Shahin (22), Shinji Kagaua (22) dhe Kevin Groskrojc (22). Klop ngulmoi që Liverpuli ta blinte mesfushorin Grujiç dhe për ta “zhvatur” nga Crvena Zvezda dërgoi në Beograd ndihmësin e tij në atë kohë, Zheljko Buvaç, pasi do të ishte më e lehtë që lojtarui të fliste me një bashkombës të tij. “Klop dhe Liverpuli më deshën me çdo kusht, – tha Grujiç gjatë prezantimit në Angli. – Më donin edhe Barcelona dhe Reali, por Klop më bindi”.

Plani ishte që lojtari serb të rritej, duke u huazuar në skuadra të tjera dhe kështu shkoi te Herta. Por në këtë periudhë Liverpuli e ka rritur shumë nivelin dhe për Grujiç nuk ka ende hapësirë. Lacios dhe Tares nuk u pëlqejnë huazimet, kjo është arsyeja pse drejtori sportiv nuk u fut në bisedime dy vjet më parë. Tani që Liverpuli mund ta shesë përfundimisht lojtarin (vlera aktuale është 12 milionë euro), Tare është hedhur në aksion.

Zakaria feston një gol. Gazeta Si, 10 qershor 2020

Më e vështirë është pista e Zakarias. Drejtuesit e Borusias e dinë mirë se kanë në dorë një xhevahir dhe duan ta shesin me çmimin e duhur. Maks Eberl, drejtori sportiv i Borusia Mënshegladbah, shiti Granit Xhakën tek Arsenali për 45 milionë euro. Klubi gjerman është në garë për Ligën e Kampionëve, por nëse nuk ia del të kualifikohet, ka nevojë të shesë një nga të rinjtë e talentuar. Turam duhet të rrijë edhe pak për të rritur vlerën e vet, ndaj dhe më i kuotuari është pikërisht Zakaria. Tares i pëlqen shumë, por nuk do ta ketë të lehtë ta marrë. Burimi: “Gazzetta dello Sport” / Përktheu: Gazeta Si

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë