Politike

Rama shmang opozitën parlamentare: Pakti me Bashën nuk ndryshon, mbetëm “jep e jep”

Kryeministri Edi Rama foli për shumëçka lidhur me debatin e zhvendosur në Kuvend për Kodin Zgjedhor. Ai preku edhe një nga pikat kusht që ka zyrtarizuar opozita parlamentare; aplikimin e listave të hapura.

“Unë  e di që shumica e shqiptarëve e besojnë që listat e hapur janë një instrument çudibërës për të rritur demokracinë, por nëse do të ishin të hapura, ata deputetët që ishin aty, do të ishin pjesë e listës dhe do të votohej edhe brenda tyre.

Pra Gjuzi apo “Ngjala”, ky apo ajo, por ne jemi këtu me përgjegjësinë që ta çojmë përpara këtë proces dhe ta mbyllim në mënyrë të ndershme, të drejtë, dinjitoze, jo duke u futur nëpër histori kap njërin e kap tjetrin, sepse nuk shkon të dalësh në rrugë të bësh konsensus dhe në Parlament të shkosh me shpatë, pa llogaritur që ka dhe të tjerë aty, aq më tepër që votat ne nuk i kemi dhe duhet të bëjmë.

Duhet të luftojmë për t’u mirëkuptuar me të tjerët, se sa do ia dalim do ta shikojmë, por mos e paçi kurrë fatin që në këtë situatë të ishit në vendin tim që ‘bjer e bjer, jep e jep…”, tha Rama.

Megjithatë, Edi Rama siguroi se marrëveshja e dakordësuar nuk do të lëvizë.

“E di që situata nuk është e qetë, ne kemi dakordësuar një marrëveshje, duhet që ajo të mos lëvizë, sigurisht e vetmja kënaqësi që kam marrë nga marrëveshja është kënaqësia e Lulit, më shumë se kaq nuk ka asnjë kënaqësi nga ajo marrëveshje sepse nuk reformon asgjë në sistem, por qëllimi ishte pikërisht ky, që të bashkoheshim të gjithë ne, bashkë me gjithë botën për ta lehtësuar Lulzim Bashën dhe pastaj dhe të tjerët nga frika e tmerrshme e zgjedhjeve dhe për t’i thënë si e do ti që të mos kemi më llafe, ata do bëjnë prapë llafe, se PS do t’i fitojë prapë zgjedhjet, po sidoqoftë ne e bëmë këtë në funksion të një mesazhi paqeje dhe ndërveprimi…”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se në këtë proces, do të ecet sipas një mirëkuptimi.

“Se po del që PS ka detyrimin vetëm të shpërndajë karamele, llokume e ballokume dhe mish nga trupi i vet, nuk mund të jetë kështu…”

Copyright © Gazeta “Si” Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë