Takimi mes Edi Ramës dhe përfaqësuesve të opozitës parlamentare është mbyllur pa marrëveshje. Kreu i Qeverisë shprehu “keqardhjen” se në këtë takim kishte dëgjuar akuza dhe tentativa blerjeje, apo influenca jo korrkte mbi deputetët”.
“Akuzat ishin në bllok për ata që janë jashtë, por edhe në adresën tonë, por unë i sigurova që nuk do të shkojmë në rrugën e një zgjidhjeje, ku thjesht do të kërkojmë aritmetikën, por në rrugën e një diskutimi për të krijuar kushtet e një dakordësie”, tha ai.
Rama nuk kurseu ironinë përballë pyetjes se cili ishte sekreti i bindjes së Lulzim Bashës në Këshillin Politike, që me opozitën parlamentare nuk po funksionon.
“Bashës unë i thashë “bëj si të duash”, ndërsa po t’i them të njëjtën gjë edhe Murrizit i bie të kemi dy Kode të ndryshme, ku zhvillohen dy zgjedhje, me gjithë respektin për Murrizin”, tha Rama.
Kryeministri kërkoi ndihmën e Bashës për të bindur opozitën parlamentare.
“Mbase do ishte e udhës që Lulzim Basha të futej në këtë proces dhe të bënte një komunikim me ata që i ka sjellë ai në Parlament dhe të bashkojmë forcat për t’i dhënë një zgjidhje një situate që nuk është e lehtë”, tha Rama.
Ndërkohë, përfaqësuesi i grupit parlamentar demokrat, Myslim Murrizi foli për presione nga të gjitha krahët në drejtim të deputetëve të opozitës parlamentare.
“Ta harrojë Rama që mund të kalohet një sistem zgjedhor me vota të trafikuara. Trafikimi është bërë edhe aset i partive të tjera të Këshillit Politik që kanë interes që kjo Reformë të kalojë”, tha ai.
Edhe Rudina Hajdari, që mori pjesë në këtë takim e mbështeti qëndrimin në fjalë, duke përcaktuar si minimum hapjen e listave.
“Zotohem që do luftoj deri në fund për listat e hapura”, deklaroi deputetja.
Por, nga Partia Demokratike e kanë vlerësuar këtë si teatër të organizuar nga Edi Rama. Nënkryetari demokrat, Edi Paloka tha se si Kryeministri, ashtu edhe opozita parlamentare janë të gjithë në një thes.
“Për mëngjes teatër kukullash, për drekë dramë, për darkë komedi. Teatër dhe vetëm teatër. Kaq mund t’u ofrojë Edi Rama shqiptarëve për të bërë që të duken si të pavarur ata që i fut nga njëri xhep dhe i nxjerr nga tjetri. Skena që patë nga kryesia e Kuvendit, ku dikush bën si zemërthyer për sistemin dhe dikush tjetër si dashnor i zgjedhjeve të lira, është vetëm një pjesë e dështuar teatrale e regjisorit kryeministër. Ata janë të gjithë në një thes dhe i vetmi mision që kanë është të mbajnë në këmbë Parlamentin e kalbur nga votat e blera me drogën e Niçes dhe korrupsionin e Edvinit”, deklaroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje