Ne rrjet

Kreu i Akademisë së Shkencave në Kosovë: Ku duhet të bazohet dialogu me Serbinë

Edhe pse të papërfshirë në dialogun Kosovë- Serbi, gjatë ditës së mërkurë në ambientet e ASHAK-ut, akademikët pritën shefin e ekzekutivit, Avdullah Hoti për të diskutuar për dialogun dhe marrëveshjen finale me Serbinë.

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Mehmet Kraja tha se dialogu duhet të bazohet mbi parimet kushtetuese dhe theksoi se Kosovën e ka penguar paqëndrueshmëria e faktorit politik vendas.

Ai u shpreh për “Euronews” se këto defekte konsistojnë kryesisht tek paqëndrueshmëria e faktorit politik që ka shkuar në dialog pa një unifikim paraprak. Ai tregoi arsyet se pse dje kryeministri, Avdullah Hoti, ishte në ambientet e Akademisë së Shkencave të Kosovës

“T’ju them të drejtën, ne nuk e kemi menduar për asnjë ndërhyrje të Akademisë, as ndonjë rol të veçantë të Akademisë brenda këtij procesi, por ne kemi vërejtur një gjë dhe nuk mund të rrinim indiferentë ndaj kësaj. Marrëveshjet e deritashme që janë bërë gjatë dialogut Kosovë-Serbi, kanë disa defekte dhe këto defekte kryesisht konsistojnë në paqëndrueshmërinë e faktori politik të Kosovës, i cili në dialog ose ka shkuar i papërgatitur ose kanë shkuar me dy mendje pa një qëndrueshmëri të madhe sa i përket Kushtetutës dhe opsioneve, të cilat mund të jenë të hapura dhe ato që nuk mund të hapen dhe ato që nuk mund të diskutohen.

Ne kemi konsideruar se njohja e opinionit me marrëveshjet e deritashme ka qenë e domosdoshme, sepse një pjesë e tyre kanë qenë të papublikuara. Me një ndërhyrje të Akademisë, ata që duan të dinë se çfarë ka ndodhur me dialogun Kosovë-Serbi, kanë mundësi ta dinë dhe i kanë dokumentet në dorë. Kjo është arsyeja se pse dje kryeministri erdhi në Akademi.”, tha ai.

Kreu i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja zbardhi në Euronews Albania bazën se ku duhet të mbështetet ekipi negociator në dialogun me Serbisë. Ai u shpreh se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është baza mbi të cilën duhet të ndërtohet platformat e dialogut mes dy vendeve.

“Është shumë e qartë dhe shumë e thjeshtë. Nuk ka ndonjë fshehtësi në këtë mes, është Kushtetuta e Republikës së Kosovës ajo që duhet të përbëjë bazën, mbi të cilën pastaj duhet të hartohen platformat e dialogut. Është përcaktuar integriteti territorial dhe pacenueshmëria e territorit të Republikës së Kosovës, por edhe rendi kushtetutës. Këto dy predispozita duhet të jenë baza të dialogut, jo vetëm me Serbinë, por në çdo marrëdhënie ndërkombëtare. Në këtë pikë gjërat po qartësohen, pavarësisht zërave që mund të dëgjohen andej-këndej.  Akademia mbështet këtë qëndrim dhe besoj se në këtë pikëpamje është arritur një konsensus. Nuk mund të ketë shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në asnjë dialog dhe asnjë palë tjetër, dhe veçanërisht jo me Serbinë”, tha ai.

Në fund z. Kraja komentoi deklaratat politike në Kosovë sa i preket rolit që do luajnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian në dialogun me Serbinë.

“Nuk mendoj se ne kemi luks të tillë që mund të identifikojmë në këtë formë të ndarë faktorin e jashtëm. Unë e besoj se ai faktor do të jetë unik sa i përket çështjes së Kosovës. As Uashingtoni dhe as Brukseli nuk besoj se do të manifestojnë një ndasi të tillë sa faktori i brendshëm politik në Kosovë të përçahet në atë formë dhe të mendoj se “një faktor është i rëndësishëm dhe tjetër është më pak i rëndësishëm”. Mendoj se kjo qasje është e gabuar dhe mendoj se i ka skaduar afati kësaj mënyrë të të menduarit”, u shpreh z. Kraja, ndërsa shtoi se marrëveshjet e arritura deri tani mes Serbinë kanë qenë të paqëndrueshme dhe e kanë dëmtuar Kosovën. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë