Kanë përfunduar katër ndeshjet e para çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, pas së cilave Tirana e ka të sigurt kualifikimin me fitoren 5-1 ndaj Besëlidhjes. Edhe Kukësi, pas fitores në shtesë me Apoloninë, është thuajse i kualifikuar. Trajneri Hysen Dedja ka debutuar me barazim në stolin e Vllaznisë, ndërsa Skënderbeu është mundur në Ballsh nga Bylisi.
Tirana pësoi gol në fillim të ndeshjes, por më pas erdhi “uragani” bardheblu. Batha me penallti, dy herë braziliani Kale, Torasa dhe Sidibe shënuan golat e fitores së thellë të skuadrës së Emanuel Egbo që e sheh kështu veten në gjysmëfinale. Ndeshja e kthimit, që do të zhvillohet pas dy javësh, do të jetë formale për Tiranën.
Era “Dedja” u duk se do të niste në mënyrën e duhur te Vllaznia, që e filloi shumë mirë ndeshjen. Zogaj dhe Hygor realizuan dy gola të shpejtë në pjesën e parë për shkodranët, por fillimisht Kallaku dhe në kohën shtesë Kapllani barazuan shifrat, duke prishur debutimin e trajnerit Hysen Dedja. Barazili lë çdo gjë të hapur, por tashmë më të favorizuar janë durrsakët.

Kukësi, me një formacion të modifikuar, ka fituar me shumë vështirësi në Fier ndaj Apolonisë së Kategorisë së Parë. Sulmuesi Kuper kaloi kuksianët në avantazh në pjesën e parë, nigeriani Ejoh barazoi gjithçka me një gol të bukur në të dytën dhe vetëm në kohën shtesë mbrojtësi Lulaj u dha fitoren kuksianëve. Skënderbeu është mundur në Ballsh me rezultatin 1-0. Interesant është fakti se Bajramaj, sapo u fut në fushë, në prekjen e parë të topit shënoi golin e fitores së Bylisit, që ndal kështu korçarët pas disa fitoresh radhazi. Skënderbeu është i vetmi ekip që nuk shënoi në katër ndeshje.
Kupa e Shqipërisë, çerekfinalet
Tirana-Besëlidhja 5-1
Apolonia-Kukësi 1-2
Vllaznia-Teuta 2-2
Bylis-Skënderbeu 1-0
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje