Politike

Opozita parlamentare propozon ndalimin e koalicioneve, PD: Lojë e Edi Ramës

Opozita parlamentare ka depozituar në Kuvend disa propozime për ndryshim të Kushtetutës, lidhur me zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ku mes tyre edhe propozimi për të ndaluar koalicionet parazgjedhore.

Sipas këtij propozimi, deputetët e opozitës parlamentare e përqëndrojnë propozimin në tre pika. Pika e parë është ajo që të vendoset që në Kushtetutë ndalimi i koalicioneve zgjedhore. Në pikën tjetër kërkohet ndryshimi i sistemit zgjedhor në sistem proporcional rajonal me lista të hapura dhe në pikën e tretë propozohet që shpërndarja e mandateve mes partive që kanë fituar mbi 5 për qind të votave në rang kombëtar.

Sipas opozitës parlamentare, Kodi zgjedhor do të duhet që të bëjë më pas detajimin e sistemit të propozuar për sa i takon listave të cilat, sipas një grupi deputetësh të opozitës në Kuvend, duhet të jenë të hapura ose pjesërisht të hapura. Që kjo të ndodhë, sipas tyre, Kushtetuta duhet t’i paraprijë ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, nëpërmjet garantimit për votuesit të të drejtës për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumemërore.

Në vlerësimin e propozuesve sistemet me listat e hapura fuqizojnë votuesit duke i lejuar ata të zgjedhin kandidatët individualë të partisë sipas zgjedhjes së tyre duke votuar direkt për ta sesa për lista partiake të kandidatëve në tërësi. Fuqizimi i votuesit, sipas tyre, mund të zvogëlojë edhe fuqinë e drejtuesve të partive për të imponuar kandidatët e paracaktuar në elektorat.

Partia Demokratike ka reaguar menjëherë kundër kësaj nisme, pas të cilës akuzon se qëndron Kryeministri Edi Rama.

“Kufoma politike me emrin Edi Rama e nxorri kokën më në fund! Fundin e ka të sigurtë: humbje politike dhe ndëshkim ligjor për atë çka i ka bërë këtij vendi dhe shqiptarëve! Fillimisht deshi t’i vidhte zgjedhjet me njerëzit e shtetit që i ka të punësuar, duke i shitur si “komisionerë të depolitizuar”. I ngeci sharra në gozhdë! Tashmë po përpiqet që në zgjedhje të mos lejojë opozitën të paraqitet e bashkuar! Kërkon të ndryshojë Kushtetutën për të hequr koalicionet!”, deklaroi nga selia blu, Enkelejd Alibeaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë