Në një farë mënyre, Partizani u detyrua të vazhdojë me Adolfo Sormanin në stol, pavarësisht 5 humbjeve radhazi të italianit. Pas goditjes fatale nga Kukësi, që i ka futur të kuqtë në vorbullën e telasheve me ndeshjen shtesë, u duk se Sormani e kishte “firmosur” shkarkimin, por drejtuesit e klubit u bindën se nuk është vetëm faji i tij. Italiani u justifikua me organikën e cunguar për rezultatet e fundit. Ai nuk është nga ata që tërhiqen vetë, i qëndron kontratës që ka firmosur, kështu që Partizanit nuk i leverdis të humbë ndonjë gjyq të mundshëm me të.
Më shumë se trajneri, drejtuesit e Partizanit i shqetëson aktualisht problemi i disa prej lojtarëve më me peshë në ekip, të quajtur ndryshe “senatorë” të kuq. Ka një krisje të fortë të klubit me kapitenin Alban Hoxha, të cilit nuk i është ofruar rinovimi i kontratës. Hoxha nuk luajti në ndeshjen me Kukësin dhe menjëherë u aludua për largimin e tij, por vetë portieri sqaroi pozicionin. Tirana ndërkohë synon të përfitojë, jo vetëm për Hoxhën, por edhe për një “senator” tjetër të kuq, Lorenc Trashin, pjesë e Kombëtares kohët e fundit. Me këtë të fundit ka pasur krisje sezonin që shkoi.

Nga ana tjetër, Esat Mala, një nga lojtarët më të talentuar që Partizani shpresonte shumë ta shiste, ka dërguar një shkresë në FSHF, me anë të së cilës kërkon të shkëputë marrëdhëniet kontraktuale me klubin. Muaj më parë ai u degdis te Partizani B, sepse nuk pranoi të firmoste rinovimin, më pas klubi e riktheu, por marrëdhënia mes palëve nuk është rregulluar aspak dhe këtë e vërteton lëvizja e fundit e Malës.
Ndoshta është një moment delikat, i krijuar edhe nga rezultatet katastrofike të javëve të fundit, por është fakt që drejtuesit e Partizanit nuk ia kanë dalë të menaxhojnë si duhet grupin. Asnjë lojtar i shitur deri tani, përveç Jasir Hasanit që po luan në Suedi, por në formë huazimi dhe nuk mund të konsiderohet shitje. Presidenti i të kuqve, Gazmend Demi, e ka shprehur hapur pakënaqësinë për shpenzimet e tepërta për lojtarë që nuk e kanë justifikuar veten në fushë, por edhe për faktin që klubi nuk po arrin të mbushë arkën nga shitjet e mundshme të lojtarëve jashtë vendit.
Sezoni aktual, pavarësisht se ka edhe disa javë për të luajtur, mund të quhet i dështuar që tani. Nga kampion në fuqi në vend të 8 në Superiore dhe jashtë Kupës së Shqipërisë, nuk ka nevojë për shumë koment. Sikur të mos mjaftonte ecuria e dobët, krisja me “senatorët” është një problem shumë serioz, sepse minon edhe sezonin e ardhshëm. Irritimi i tifozëve ndërkohë sa vjen dhe shtohet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje