Politike

Projekt-plani i integrimit, Meta kërkon që Dvorani të dorëzojë detyrën

Pas prezantimit të projekt-plan veprimit nga Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, thotë se është e pajustifikueshme ngutja për ta prezantuar këtë projekt-plan si një “dokument të konsoliduar gjithëpërfshirës”  ndërkohë që asnjë nga institucionet jashtë ekzekutivit nuk ishin njohur më parë me këtë dokument.

Meta vë pikat mbi “I” për disa nga problematikat që ka vërejtur.

“Të përcaktohet qartë se cili institucion do të marë përsipër udhëheqjen e hartimit, koordinimit, konsultimit, miratimit, dhe më pas të monitorimit të zbatimit të planit të veprimit për 15 kushtet e përcaktuara.

Duhet të këtë një kalendar të qartë të këtij procesi që kërkon angazhim më të gjerë se përgjegjësitë e ekzekutivit, gjithmonë në rast se ky proces do të jetë gjithëpërfshirës, e si rrjedhojë me bashkëpërgjegjësinë përkatëse të gjithsecilit”.

Meta kërkon gjithashtu që plani i veprimit duhet t’i qëndrojë plotësisht besnik 15 kushteve, siç janë përcaktuar nga Bashkimi Europian.

Konkretisht, Institucioni i Presidentit të Republikës sugjeron: “Prioriteti 2 i plan veprimit nuk korrespondon me prioritetin 2 të BE që thotë: ‘Të sigurojë vazhdimësinë e zbatimit të reformës në drejtësi, përfshirë sigurimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, duke marrë parasysh ekspertizën ndërkombëtare përkatëse përfshirë opinionet e Komisionit të Venecias”

“Sigurimi i vazhdimësisë së zbatimit të reformës në drejtësi duhet të përfshihet si prioritet i veçantë, bashkë me sugjerimet për masat dhe hapat konkrete/përkatëse nga institucionet e reja të drejtësisë dhe afatet e realizimit të tyre si:  Rikonfigurimi i hartës së re gjyqësore;  Vlerësimi i ngarkesës së Gjykatës Administrative të Apelit; Përshpejtimi i procesit të rivlerësimit kalimtar (vetting); Përfundimi i procedurave për plotësimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit  me trupën e nevojshme të gjyqtarëve të përcaktuar nga KLGJ; Plotësimi me stafin e nevojshëm të organikës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”.

Meta kërkon gjithashtu dorëzimin e detyrës nga Kryetari i KED, dhe vijimi i punës së KED nën drejtimin e nënkryetarit, sipas ligjit. Që në këtë rast i bie që ta drejtojë Vitore Tusha si anëtarja më e vjetër e Gjykatës Kushtetuese.

Ai cilëson të nevojshme edhe publikimin e Opinionit të Komisionit të Venecias mbi emërimin e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese (18 qershor 2020),  si dhe nisjen e procedimeve penale kundër personave të akuzuar për blerjen e votes, që sipas Metës ishte hequr nga lista e prioriteteve që kishte përcaktuar BE-ja


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë