Në një takim me përfaqësues të një grupimi partish opozitare parlamentare dhe joparlamentare, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, nxiti zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, në procesin e reformës zgjedhore.
Theksi gjatë takimit u vu te çështjet e medias dhe te financimi i fushatave zgjedhore.
“Të gjitha partitë garuese në zgjedhje duhet të kenë akses të barabartë në media. Mund të shihet, gjithashtu, mundësia për t’u dhënë të gjitha subjekteve zgjedhore një kohë të caktuar falas”, tha Borchardt.
Ai shtoi se, sikurse ka rekomanduar OSBE/ODIHR-i, për të siguruar pavarësinë editoriale të medias, duhet konsideruar shfuqizimi i nenit 84.1 të Kodit Zgjedhor dhe të ndalohet në mënyrë të qartë transmetimi i reklamave politike në lajme.
“Mediat duhet të jenë në gjendje të mbulojnë në mënyrë të pavarur aktivitetet e subjekteve zgjedhore garuese, me qëllim kufizimin e përdorimit të kronikave të prodhuara nga vetë partitë politike në edicionet e lajmeve dhe për të shmangur keqorientimin e zgjedhësve. Në çdo rast që media përdor materiale të prodhuara nga partitë politike, ato duhet të etiketohet qartësisht si të tilla”, tha ai.
Po ashtu, Borchardt tha se pavarësia e rregullatorit të medias dhe e transmetuesit publik duhet të fuqizohet më tej, përmes masave që parandalojnë konfliktin e interesit.
Lidhur me financimin e fushatave zgjedhore, Borchardt tha se shpenzimet e fushatave duhet të mbeten të kufizuara dhe se ligji duhet të garantojë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të ketë fuqitë e duhura që të mbikëqyrë në mënyrë efikase dhe të sigurojë zbatimin e dispozitave për financimin e partive dhe të fushatave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje