Ditën e tij të lindjes Lulzim Basha e kaloi në Vlorë, për të cilën thotë se e gjeti të heshtur si asnjëherë më parë. “Lokale të boshatisura, dyqane pa klientë, sipërmarrës e punonjës që prisnin me shpresën se dikush do të shfaqej për të blerë apo konsumuar diçka”, thotë Basha, sipas të cilit, situata e rëndë ekonomike e ka gjunjëzuar Vlorën ashtu si gjithë Shqipërinë.
Kryetari i Partisë Demokratike thotë se takoi qytetarë të dëshpëruar nga pamundësia ekonomike dhe braktisja e qeverisë sidomos në periudhën e pandemisë.
“Edhe ata pak që kanë mundur të përfitojnë nga dëmshpërblimi, shumicën e kanë çuar për pagesa faturash. Shumë prej tyre ende s’kanë paguar as një pjesë të qirasë të grumbulluar prej 3 muajsh tashmë sepse nuk kanë xhiro, nuk kanë të ardhura”, thotë Basha.
Panorama e Bashës në Vlorë është; biznese të mbyllura, hotele në krizë dhe qindra punëtorë të mbetur pa punë janë pasojat e neglizhencës dhe paaftësisë së RAMAVIRUSIT.
Basha thotë se Rama nuk bëri asgjë për të ndihmuar sektorin e turizmit, duke lënë mijëra hotele dhe restorante në të gjithë Shqipërinë pa mbështetje ekonomike apo lehtësi fiskale, duke lënë pa punë qindra qytetarë që varen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga turizmi.
Por Basha thotë se ai vetë nuk premton mrekulli. “Ne do t’u japim shqiptarëve një qeverisje normale, ku prioritet do të jetë hapja e vendeve të punës, rritja e pagave dhe pensioneve, lehtësira fiskale për biznesin dhe thithje e investimeve të huaja”, tha Basha, që tregon se ka gati planin për ti rikthyer njerëzve mundësinë për të punuar dhe për të ndërtuar një jetë më të mirë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje