Nisma e opozitës parlamentare për të ndryshuar Kushtetutën është rrëzuar. Dy deputetë të grupeve parlamentare të saj janë tërhequr nga firma e hedhur fillimisht mbi projektin e dorëzuar në Kuvend.
Deputetët që janë tërhequr janë Artur Roshi dhe Besnik Troplini, që të dy pjesë e grupit parlamentar demokrat dhe drejtues të Ballit Kombëtar. Roshi, që është edhe kryetar i kësaj partie ka shpjeguar përmes një postimi në rrjetet sociale vendimin prapakthehu. Ai thotë se tërheqja është ndërmarrë pasi ka parë në media se nisma është deformuar, duke nënkuptuar se nuk është dakord me pikën që ndalon koalicionet parazgjedhore dhe pragun prej 5 për qind për të hyrë në Parlament.
“Në diskutimet e mia me kolegët tentova që të bënim një kërkesë të qartë,megjithatë firmosa në një marrëveshje xhentëllmenësh se do të qëndrohej në hapjen e listave. Anonçimi në media se do ndërhyhet në Kushtetutë për të ndaluar koalicionet parazgjedhore dhe vendosja e pragut 5 për qind është shqetësuese, sepse tregon se dikush është i interesuar. Këtë interes mund ta shfaqi ai që sheh se i afrohet mundësisë dhe fuqisë së kartonit për ta bërë këtë. Kjo lloj ndërhyrjeje, do të thotë ruajtjen e statu-kuosë, ruajtjen e sistemit bipolar politik që është sot, ruajtjen e sistemit të pengut nga kontrolli absolut i tregut politik. Pra Ajo që ndryshon është vetëm mënyra se si arrihen këto”, shkruan ai.
Vendimi i tyre redukton tashmë në 27 numrin e deputetëve që mbështesin ndryshimet në Kushtetutë, ndërkohë që për t’u marrë në shqyrtim nga Parlamenti, kërkesa duhet të mbështetet nga 28 deputetë. Kushtetuta përcakton në nenin 177 të saj se nismat për rishikim mund të ndërmerren nga jo më pak se një e pesta e anëtarëve të Kuvendit.
Projekt-propozimi u depozitua nga deputeti Myslim Murrizi. Pas mbledhjes së komisionit për Reformën Zgjedhore, Myslim Murrizi, bëri dy lëvizje në emër të 29 deputetëve firmëtarë që ka mbledhur, për t’i treguar “forcën” e numrave kryeministrit Edi Rama.
E para; Ai ka depozituar zyrtarisht kërkesën e 29 deputetëve për ndërhyrjen në Kushtetutë, ku në thelb kërkojnë ndryshimin e sistemit zgjedhor, listat e hapura dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore.
Së dyti; Murrizi kërkon të zëvendësojë Rudina Hajdarin si bashkëkryetare në komisionin për reformën zgjedhore me argumentin se ajo nuk bëri asgjë për kërkesat që opozita parlamentare kishte për zgjedhjet.
“Nuk është shkarkim. E kemi protokolluar një kërkesë për zëvendësimin e bashkëkryetares. Me vullnet të 8 deputetëve të grupit parlamentar dhe me mbështetje të dy grupeve të tjera parlamentare opozitare. Në vend të zonjës Hajdari të jetë Myslim Murrizi. Besoj se të enjten do të bëhet dhe votimi. Nisur nga ngjarjet e fundit të Këshillit Politik nga firmosja me ose padashje të një marrëveshje që ne të tjerët e opozitës nuk e njohim, besoj që është më e moralshme të mos drejtohet ky Komision nga dy bashkëkryetarë të të njëjtit mendim”, tha Murrizi për mediat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje