Politike

Drafti / KQZ i vetmi institucion që reformon pakti PS-PD

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i vetmi institucion që reformohet nga marrëveshja e arritur në Këshillin Politik mes Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndërsa pjesa tjetër e ndryshimeve kanë si objektiv forcimin e kontrollit të organeve ligjzbatuese mbi procesin zgjedhor.

Sipas kësaj marrëveshjeje, Komisioni Qendror Zgjedhor përbëhet nga tre organe drejtuese.. I pari është Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, organi i dytë Komisioni Rregullator dhe organi i tretë Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve nuk është organ kolegjial. Ai do të drejtohet nga një person me kompetenca ekzekutive, drejtuese të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe përfaqëson këtë të fundit në marrëdhënie me të tretët. Komisioneri zgjidhet nga Kuvendi për një mandat 7-vjeçar nga radhët e ish funksionarëve politikë apo të kabineteve, ish nëpunësve të nivelit të lartë drejtues, ose të ish drejtuesve të organizatave jofitimprurëse me veprimtari në fushën e zgjedhjeve dhe të të drejtave të njeriut.

Ndërkohë, ndryshimet parashikojnë edhe postin e nënkomisionerit, që gjithashtu zgjidhet nga Kuvendi, por me një mandat 4-vjeçar me detyrën e posaçmë për të mbikëqurur zbatimin e teknologjsië dhe trajnimin e administratës zgjedhore. Ai ka të drejta të barabarta me Komisionerin sa i takon fushës së përzgjedhjes, monitorimit dhe zbatimit të teknologjisë për identifikimin biometrik të zgjedhësve.

Ndërkohë, Komisioni Rregullator është një organ kolegjial i përbërë nga pesë anëtarë me detyrë miratimin e akteve me karakter normativ në fushën e zgjedhjeve dhe vendosjen e rregullave për procesin e votimit. Anëtarët zgjidhen nga Kuvendi për një mandat 5-vjeçar dhe njëri prej tyre ushtron detyrën e Kryetarit.

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve është organi kompetent për shqyrtimin e ankimimeve administrative dhe për vendosjen e sanksioneve për shkelje të ligjit zgjedhor. Propozimet parashikojnë që ky institucion përbëhet nga pesë anëtarë me mandat 9-vjeçar që zgjidhen nga Kuvendi dhe që funksionon me kohë të pjesshme vetëm në periudha zgjedhore dhe e ushtron veprimtarinë publikisht. KAS e nis punën 48 orë pas dekretimit të datës së zgjedhjeve nga ana e Presidentit.

Si anëtarët e KAS ashtu edhe anëtarët e Rregullatorit nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht detyra të tjera brenda organeve, institucioneve apo enteve në varësi të Qeverisë.

Propozimet parashikojnë gjithashtu se për Komisionerin, anëtarët e Rregullatorit dhe anëtarët e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve zgjidhen nga Kuvendi me shumicë të cilësuar prej 84 votash. Për vlerësimin e kandidaturave, Kuvendi duhet të ngrejë një komision të posaçëm.

Sa i takon përdorimit të teknologjisë në nenin 23 lihet e hapur mundësia e zbatimit të saj nga kompani private, nëse një vendim i tillë merret nga Rregullatori. Operatori privat duhet të kontraktohet sipas ligjit të prokurimeve në fuqi.

Në rastet kur nga testimi parazgjedhor rezulton se sistemet apo pajisjet shfaqin defekte apo pasaktësi operacionale, të cilat mund të cenojnë integritetin e tyre apo të procedurave, atëherë KQZ-ja mund të vendosë zbatimin e procedurave manualisht dhe të heqë sistemet apo pajisjet nga përdorimi në zgjedhjet e radhës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë