Futboll

Mbrojtës dhe… regjisor, Van Dijk i lë të gjithë prapa në Angli

Holandezi Virxhil Van Dijk ishte shumë pranë “Topit të Artë”, u rendit i dyti pas Lionel Mesit, por numrat e tij janë fantastikë. Mbrojtësi i Liverpulit, kampion i Europës sezonin e shkuar me të kuqtë, ka profilin e lojtarit që të bën menjëherë për vete, edhe pse është mbrojtës. Syve të dashamirësve të futbollit nuk ka si t’u shpëtojë ajo që holandezi bën në fushë.

Van Dijk është mbrojtësi më i mirë në botë, por tani është transformuar edhe në një… regjisor për lojën e Liverpulit. Lojtari i skuadrës së Jurgen Klop, siç nënvizohet në faqen zyrtare të Premier Ligës në Instagram, ka numrin më të lartë të pasimeve për sezonin 2019-2020 në kampionatin anglez. Van Dijk ka bërë 2478 pasime në total, duke zënë kështu vendin e parë në këtë klasifikim special.

Klasifikimi i pasuesve më të mirë të kampionatit anglez. Gazeta Si, 15 qershor 2020

Ai qëndron edhe para lojtarëve që e kanë rol natyral atë të mesfushorit që organizon lojën, apo të regjisorit, siç quhet ndryshe në gjuhën e futbollit. Pas holandezit vjen spanjolli Rodri i Mançester Sitit, me 1995 pasime, pra shumë prapa mbrojtësit të Liverpulit. Interesant është fakti që Van Dijk ka lënë prapa edhe dy lojtarë të skuadrës së tij, mbrojtësit e krahëve Trent Aleksandër-Arnold dhe Robertson. Një rekord personal që kompleton profilin e një lojtari të rrallë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë