Futboll

Tirana thyhet pas 6 muajsh, Teuta rihap garën e titullit

Një gol i Emiljano Vilës në pjesën e parë ka gjunjëzuar Tiranën kryesuese në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Teuta, në garë për Ligën e Europës, ka bërë një ndeshje të mirë dhe në fund ia ka arritur qëllimit për të marrë tri pikët që e mbajnë në lojë për këtë objektiv. Edhe pse kishte në dispozicion shumë kohë për të shkuar të paktën te barazimi, skuadra e trajnerit Egbo nuk ka mundur të shënojë dhe në fund ka pranuar humbjen 1-0.

Tashmë diferenca me vendin e dytë shkurtohet në 6 pikë dhe gara e titullit kampion, mund të quhet e rihapur, ku vendimtare mund të jetë ndeshja direkt me Kukësin. Pritej në fakt një ndalesë e bardhebluve në Durrës, pasi Teuta është paraqitur mirë këto javë dhe gjithmonë ka rezultuar një “kockë e fortë” për pretendentët për titull.

Tirana e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë, pasi mesfushori Çelhaka mori dy kartonë të verdhë në fundin sfidës dhe mungon javën e ardhshme. Tirana kishte që në muajin dhjetor të vitit të kaluar që nuk njihte humbje. Ende është komode në renditje, por mbetet për t’u parë si do të reagojë kjo skuadër në ndeshjen e radhës me Vllazninë. Teuta renditet në vend të pestë, me 44 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë