Rend dhe Ligj

Vrasja e Jan Prengës, arrestohet në Poloni një prej të dyshuarve

Disa muaj pas pengmarrjes dhe vrasjes së Jan Prengës në zonën e Shijakut, i cili fillimisht u mor peng më 17 janar në Kamëz, mësohet se është arrestuar një prej rrëmbyesve të dyshuar.

Dyshohet që personi në fjalë është shtetasi Martin (Gentian) Bleta. Po ashtu dyshohet se ky shtetas është ndaluar në Poloni për verifikim.

Shtetasi në fjalë mban emrin Gentian Bleta, të ndryshuar nga Martin Bleta që e ka pasur më herët. Edhe në kërkim ndërkombëtar ai është shpallur me emrin Martin Bleta.

Prandaj Interpol Tirana po bën verifikimet sipas procedurave nëse është ky personi i dyshuar që është ndaluar sot për verifikim.

Jani Prenga u mor peng më 17 janar 2020 në zonën e Kamzës. Ai u dërgua në resortin e Altin Hajrit në Shijak, ku u torturua. Dyshohet se gjatë dhunës, Prenga u mbeti në dorë pengmarrësve, që vendosën të zhdukin trupin. Edhe pas kërkimeve në zonën e Shijakut, trupi i tij ende nuk është gjetur.

Prenga jetonte prej vitesh në zonën e Bathores dhe nuk ishte njeri problematik, ndërsa i vëllai i tij kishte rolin e korrierit në grupin e trafikut të drogës në Mbretërinë e Bashkuar. Pengmarrësit donin t’i bënin presion, pasi ai nuk kishte dërguar në destinacion 50-60 kg kokainë, prandaj i morën peng të vëllanë në Shqipëri.

Për ngjarjen deri më sot janë arrestuar Bajram Hajri, Leonard Hajri, Olsi Turja, Elton hajri, Festim Bixhdili dhe Ardian Doçaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë