Futboll

Titulli i tetë radhazi, Bajerni kampion për herë të 30-të në histori

Fitorja 0-1 në fushën e Verder Bremenit i jep titullin e 30-të Bajernit të Mynihut dy javë para mbylljes së kampionatit. Ky është titulli më i ftohtë në histori për bavarezët, i pari pa tifozë. Me një gol të të zakonshmit Robert Levandovski, Bajerni ka marrë 3 pikët ndaj Verderit të Rashicës dhe ka shkuar 10 pikë para Borusia Dortmund, që ndeshet të mërkurën me Maincin. Skuadra e Hansi Flik është e pakapshme dhe fiton titullin e tetë radhazi, por festimet janë të kushtëzuara. Bavarezët nuk do të mund të shfaqen as në ballkonin e zakonshëm, siç kanë bërë tradicionalisht.

Rastin e parë të ndeshjes e kishte Verderi me Egestein, më pas, pas disa rastesh të humbura dhe një traverse të Kimish, Bajerni e zhbllokoi rezultatin me Levandovskin, i cili shfrytëzoi asistin e Boateng. Në pjesën e dytë, VAR-i i anuloi një gol tjetër Levandovskit, por bavarezët e administruan mirë lojën. Në fund duhej edhe një pritje vendimtare e Nojerit, pas një gjuajtjeje të Osako. Verder Bremeni mbetet në zonën e rrezikshme, i parafundit në renditje. Ekipi i Rashicës luajti në superioritet numerik 10 minutat e fundit, pas ndëshkimit me të kuq të Davis.

Bajerni feston golin e Levandovskit ndaj Verderit. Gazeta Si, 17 qershor 2020

Është titulli i 30-të i Bajernit, i 29-ti që kur është themeluar Bundesliga dhe i 8-i radhazi. Nga viti 1995 e deri sot, në 22 raste nga 25 në total, bavarezët e kanë mbyllur kampionatin të parët ose të dytët. Merkatoja e fundit verore, ku u shpenzuan 143.5 milionë euro, nuk solli ndryshime të mëdha. Hernandez, për të cilin u paguan 80 milionë, nuk u bë protagonist, ashtu si dhe Koutinjo, i cili nuk do të blihet nga Bajerni. Afrime të goditura rezultuan Pavard dhe Perisiç. Për Tomas Myler dhe David Alaba është titulli i 9-të, duke barazuar kështu Frenk Riberi. Interesant është fakti që Bajerni ka fituar vetëm një nga 14 titujt e fundit në stadiumin e tij.

Ky është titulli i ndryshimit të gjeneratave. Pasi humbi Lahm dhe Zhvajnstajger disa vite më parë, ky ishte sezoni i parë pa Roben dhe Riberi. Me 31 gola të shënuar, lideri absolut është Levandovski (rekord personal dhe shënuesi më i mirë i kampionatit), ndërsa Gnabri (12 gola), Gorecka (6), Kimish dhe Koman janë gjithmonë e më të rëndësishëm për skuadrën. Davis duket në gjurmët e Alabës. Me ardhjen e Flik në stol, Bajerni nisi fluturimin: 22 ndeshje dhe 19 ftiore, 2 humbje dhe 1 barazim. Me këtë trajner, bavarezët kanë shënuar 68 gola dhe kanë pësuar 15.

Bie në Bundesligën 2 ndërkohë Paderborni i Klaus Gjasulës, mesfushorit të Kombëtares, pas humbjes 1-0 në fushën e Union Berlinit. Nga Bundesliga 2 ngjitet zyrtarisht Arminia Bilefeld. Borusia Mënshengladbah mundi Volfsburgun 3-0 dhe mori vendin e katërt. Një fitore e madhe për Frajburgun e Abrashit, që mundi 2-1 Hertën e Berlinit dhe ngjitet kështu në vend të 7-të, që do të thotë një vend në paraeliminatoret e Ligës së Europës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë