Futboll

Kupa e Italisë/ Hysaj kërkon trofeun e parë, ceremonia do jetë vetëshërbim

Napoli dhe Juventusi diskutopjnë sot në mbrëmje, në stadiumin “Olimpico” të Romës, trofeun e parë të sezonit, Kupën e Italisë. Juventusi niset favorit, edhe pse sot nuk ka të gatshëm sulmuesin Higuain dhe mesfushorin Ramsei, ndërsa Napoli ka një grup më të plotë. Dyshimi i vetëm për trajnerin Gatuzo është mbrojtësi grek, Manolas, i cili nuk është në gjendje optimale.

Elseid Hysaj, kapiteni i Kombëtares shqiptare, sipas të gjitha gjasave, do ta nisë nga stoli finalen. Gatuzo këtë herë ka preferuar portugezin Mario Ruin në të majtë të mbrojtjes, pasi shkodrani nuk e bindi në gjysmëfinalen e pak ditëve më parë ndaj Interit. Gjithsesi, mbrojtësi kuqezi është i gatshëm dhe sot ka shansin për të fituar një trofe të rëndësishëm në karrierë, para se të largohet nga Napoli në merkaton e verës. Napoli eliminoi në gjysmëfinale Interin, kurse Juventusi Milanin.

Formacionet e mundshme të Napolit dhe Juventusit për finalen e Kupës së Italisë. Gazeta Si, 17 qershor 2020

Ceremonia e dhënies së trofeut do të jetë “vetëshërbim”. Normat anti-virus janë strikte edhe në këtë rast, në dhënien e trofeut të Kupës së Italisë për skuadrën fituese. Trofeu dhe medaljet do të vendosen mbi tavolinë dhe futbollistët do t’i marrin vetë, duke u ngjitur në një skenë nëpërmjet një rruge, ku do të evitohen kontaktet mes tyre. Kupa dhe medaljet nuk do të preken nga asnjë autoritet para se të shkojnë në duart e lojtarëve. Do të mungojë në ceremoni presidenti i Republikës, Matarela.

Momenti i vetëm i festës do të jetë kur kapiteni i skuadrës fituese do të ngrejë lart kupën dhe në këtë rast ai do ta ndajë gëzimin me shokët pranë. Pa tifozë të vërtetë, do të debutojë në “Olimpico” publiku “virtual”, me koreografi dixhitale.

Burimi: Sportmediaset/ Përktheu: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë