Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, pas një mbledhjeje të zhvilluar me video-konferencë, ka marrë disa vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me rregulloret, formatin, kalendarin dhe vendet ku do luhen ndeshjet nga klubet dhe kombëtaret për kompeticionet e UEFA-s. Afati përfundimtar që federatat europiane të dorëzojnë emrat e skuadrave pjesëmarrëse në kompeticionet e sezonit të ardhshëm mbetet 3 gushti.
Risia është se në turet eliminatore të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Europës do të luhen me ndeshje teke. Pra, katër skuadrat shqiptare që do të marrin pjesë në këto kompeticione, nuk do të kenë më dy ndeshje, pra vajtje-ardhje, por një të vetme, ku do të vendoset kualifikimi. Kjo do të thotë më pak shanse kualifikimi, nëse ndeshja zhvillohet jashtë fushe. Ndryshon puna për ndeshjet e “Play-off”-it të Ligës së Kampionëve, ku do të ketë sërish dy ndeshje. Fusha ku do të luhen ndeshjet e tureve eliminatore do të hidhen me short. Skuadrat shqiptare do të zbresin në fushë më 18, 19 dhe 20 gusht, pak më shumë se dy javë pas mbylljes së kampionatit. Kombëtarja do të luajë në Ligën e Kombeve në fillim të shtatorit, ndërkohë që data të lira për miqësore ka në tetor dhe nëntor.

Ka folur në këtë mbledhje edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, njëkohësisht anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. “Jam i kënaqur që do të rifillojmë thuajse të gjitha kompeticionet tona. Jam i sigurt se nuk do duhet ta vuajmë mungesën e tifozëve për një kohë të gjatë, ata do të lejohen në stadiume së shpejti. UEFA vendosi të shtynte “EURO 2020” për të krijuar hapësirën e duhur që kampionatet kombëtare të rifillojnë dhe të mbyllen në fushë. Komuniteti i futbollit ka treguar unitet të jashtëzakonshëm gjatë kësaj krize. Falënderoj FIFA-n, konfederatat partnere, federatat, klubet, ligat dhe lojtarët për mbështetjen dhe përkushtimin. Jam i bindur se do të dalim nga kjo krizë më të fortë se kurrë më parë”, – tha Duka mes të tjerash.
Kalendari i ri i kualifikueseve dhe fazës së grupeve 2020-2021:
Liga e Kampionëve 2020-2021
Raundi paraeliminator: 8 dhe 11 gusht
Raundi i parë kualifikues: 18-19 gusht
Raundi i dytë kualifikues: 25-26 gusht
Raundi i tretë kualifikues: 15-16 shtator
“Play-off”-i: 22/23 dhe 29/30 shtator
Faza në grupe: 20/21 dhe 27/28 tetor, 3 dhe 24/25 nëntor, 1 dhe 8/9 dhjetor
Liga e Europës 2020/2021
Raundi paraeliminator: 20 gusht
Raundi parë eliminator: 27 gusht
Raundi dytë eliminator: 17 shtator
Raundi tretë eliminator: 24 shtator
“Play-off”-i: 1 tetor
Faza në grupe: 22 dhe 29 tetor, 5 dhe 6 nëntor, 3 dhe 10 dhjetor
Shorti për fazën në grupe të sezonit 2020/2021 i Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Europës do të hidhet në Athinë më 1 dhe 2 tetor.
Ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe “Play-off”-i i “Euro 2020”
Ndeshjet e grupeve për Ligën e Kombeve 2020-2021 do të luhen në këto data: 3/4/5 dhe 6/7/8 shtator; 10/11 dhe 13/14 tetor; 14/15 dhe 17/18 nëntor 2020.
Ndeshjet miqësore do të luhen në 7/8 tetor dhe 11/12 nëntor.
Ndeshjet e play-off të Euro 2020 do të luhen në 8 tetor dhe 12 nëntor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje