Dy finale të humbura (Superkupa dhe Kupa e Italisë) nuk i shkojnë aspak për shtat një marke si Juventusi. Në bankën e të akuzuarve, trajneri Mauricio Sarri është i pari, bashkë me të tjerët. I pari që mban përgjegjësi është “komandanti” që që po e fundos “anijen” Juventus. Pyetja që shtrohet sërish është: a ka ekzistuar ndonjëherë Juventusi i Mauricio Sarrit?
Përgjigjen, në mënyrë të pavetëdijshme e ka dhënë vetë trajneri bardhezi pas humbjes së finales me Napolin: “Këta lojtarë janë mësuar t’i zgjidhin vetë situatat dhe në këtë moment, kur nuk janë aspak brilantë, nuk po ia dalin”. Një përgjigje që mohon kredon futbollistike të Sarrit dhe vizionin e tij global të skuadrës. Individët nga njëra anë, të cilëve Alegri dinte t’u merrte më të mirën, dhe aplikimi i lojës globale (të munguar) nga ana tjetër.

Le të kthehemi një hap pas: zgjedhja e Sarrit kishte një qëllim të vetëm, ta bënte të bukur Juventusin konkret të Alegrit. Ishte në kërkim të estetikës. A u arrit objektivi? Jo, për dy arsye. Juventusi këtë sezon nuk ka luajtur kurrë bukur (edhe vetë Sarri ka pohuar se nuk e ka arritur te bardhezinjtë lojën e Napolit të tij) dhe, mbi të gjitha, Juventusi nuk po fiton. Dy finale të humbura dhe dy “kundërrekorde” të Kristiano Ronaldos.
Një tregues certifikon krizën e Juventusit: bardhezinjtë nuk kanë shënuar në dy ndeshje radhazi në të gjitha kompeticionet për herë të parë që nga tetori i 2015-ës. Mungesa e Higuain, qendërsulmuesit titullar, shpjegon pjesërisht këtë thatësirë. Arsyet janë të tjera. Ronaldo, i trumpetuar në një formë të jashtëzakonshme, ka kaluar nga muskujt e shfaqur në rrejetet sociale, te këmbët e lodhura ndaj Milanit dhe Napolit. Pjaniç, qartësisht me mendje diku tjetër, është zhdukur në mesfushë, pavarësisht ritmit të ngadalësuar të periudhës post-Covid. Bernardeski dhe Rabiot janë dukur si dy “të paftuar” në një festë. Dhe Sarri që rri i menduar në stol…

Nga kjo kuadro kuptohet që te Juventusi po shfaqen sinjale revolucioni. Takimin e parë drejtuesit e klubit e kanë me Romën. Për kë? Për Xaniolon, ndoshta, ose për Pelegrinin. Lojtarë të rinj që mund t’i japin shpejtësi manovrës së ngadaltë dhe të mërzitshme të Juventusit të sotëm. Kërkimet për pasuesin e Pjaniç kanë nisur prej kohësh, por do të ketë të reja edhe për sulmin.
Po stoli? Për momentin nuk ka asnjë lëvizje, por Juventusi është Juventusi. Ikën Superkupa dhe Kupa e Italisë, por në Ligën e Kampionëve dhe në Serinë A nuk falet gabimi. “Final Eight” në Europë është objektivi minimal dhe fitimi i titullit në kampionat është një detyrim moral. Hijet e Alegrit po “vallëzojnë”, ndërsa Sarri mbetet nervoz, duke tymosur cigare të fikura.
Burimi: Sportmediaset/ Përktheu: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje