Partia Demokratike u paraqit në mbledhjen e kësaj të enjte të Këshillit Politik me propozimin e modifikuar të formulës së përzgjedhjes së 12 anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Opozita ka hequr dorë që procesi përzgjedhës të drejtohej nga Avokati i Popullit dhe ka pranuar “ultimatumin” e socialistëve që ky proces të organizohet nga Kuvendi. Sipas propozimit të ri, Kuvendit i ngarkohet detyra që të ngrejë një Komision ad hoc me ekspertë të pavarur me pesë anëtarë, 3 nga mazhoranca dhe 2 nga opozita.
Përfaqësuesi i demokratëve, Oerd Bylykbashi tha se kjo formulë adresonte shqetësimin e mazhorancës dhe e rikthen procesin në Kuvend.
“Me qëllim që marrëveshja të zbatohet pa asnjë mëdyshje, por duke siguruar të gjitha garancitë e procesit të emërimit të anëtarëve të KQZ, që nga një anë duhet të jenë profesionistë dhe që të gëzojnë respekt te spektri politik, si dhe të sigurojnë garancitë që KQZ në veprimtarinë e tij rregullator dhe vendimmarrjen e tij nuk do të kemi mazhorancë që do shkatërrojë zgjedhjet. Në këtë kuadër ne i kërkuam mazhorancës, që me këtë hap të dytë iu afruam shqetësimit që kishte”, tha Bylykbashi.
Duke qenë se është e papërfaqësuar në Kuvend me deputetë, opozita kërkon ekspertë në komisionin ad hoc që do të ngrihet me urdhër të Gramoz Ruçit e që do të përzgjedhë kandidaturat. Megjithatë, kërkesa është rrëzuar nga mazhoranca.
“Mazhoranca përsëri nuk e pranoi duke arsyetuar që ky sistem i propozuar prej nesh politizon, por ky që propozojmë ne është ai i reformës në drejtësi. I ftuam që të reagojnë në mënyrë konstruktive që KQZ të ngrihet sa më shpejt në mënyrë të besueshme për t’i hapur rrugë organizimit të zgjedhjeve”, vijoi Bylykbashi.
Nga socialistët, Damian Gjiknuri e përshëndeti qasjen e re të opozitës, por sërish tha se ajo nuk mjafton dhe u shpreh se deputetët nuk mund të lihen jashtë formulës së përzgjedhjes së kandidatëve.
“Ne mendojmë se Kuvendi dhe deputetët duhet të jenë të përfaqësuar në këtë panel përzgjedhës. Procedura parlamentare siguron mjaftueshëm garanci që ky proces të sigurohet, sepse skema e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së nuk ka pasur asnjë konflikt edhe më parë”, tha Gjiknuri.
Përfaqësuesi socialist në Këshillin Politik i dha si garanci opozitës parlamentare zotimin se mazhoranca do të verifikojë që çdo kandidaturë të ketë mbështetjen e të dyja palëve.
“Ne i kërkuam PD të reflektojë pjesëmarrjen e deputetëve në këtë proces, por me mekanizma që garantojnë reflektim e vullnetit mbështetës për kandidaturat nga PD. E rëndësishme është që opozita do të jetë e garantuar që kandidaturat që plotësojnë kriteret nëse mbështeten prej saj do të garantohen nëpërmjet votës së mazhorancës”, tha Gjiknuri.
Gjiknuri u shpreh optimist se palët kanë përafruar qëndrimet dhe një zgjidhje mund të gjendet së shpejti, përmes aktivizimit të një dispozite kalimtare në Kodin Zgjedhor, që do të shërbejë vetëm për zgjedhjet e radhës.
Në këtë mbledhje të Këshillit Politik mungoi Rudina Hajdari, e cila ka deklaruar se nuk do të marrë më pjesë në këtë këshill, duke akuzuar palët se janë duke biseduar për tenderat, referuar këtu propozimit të opozitës që tenderat për teknologjinë e zgjedhjeve të parashikohen në Kodin Zgjedhor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje