Humbja në finalen ndaj Napolit i hoqi Juventusit shansin për të bërë tripletë këtë sezon: titullin kampion, Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Italisë. Liverpuli, Barcelona dhe Reali i Madridit kishin rënë kohë më parë dhe tashmë kanë mbetur vetëm dy klube të mëdha në garë për tripletën, madje edhe për “pokerin”, Bajern Mynih dhe PSG. Në teori janë katër, po të llogarisim edhe Napolin dhe Mançester Sitin, sepse aritmetika i lejon, por pritet të “eliminohen” shumë shpejt.
Bavarezët dhe parisienët kanë fituar titullin kampion në kampionatet respektive dhe kupën, ndërkohë që janë në garë edhe për Ligën e Kampionëve. Të dy klubet kanë shanse reale edhe për fitimin e trofeut me veshë të mëdhenj. Në fakt, PSG-ja mund të bëjë “poker”. Trofeu i parë, që nuk futet në këtë llogari, është Superkupa kombëtare: PSG në gusht fitoi atë franceze, kurse Bajerni e humbi atë gjermane.

Pastaj është edhe Kupa e Ligës, që në Gjermani nuk ekziston, kurse në Francë po dhe PSG-ja ka dalë në finale kundër Lionit dhe do të ndeshet me të më 30 korrik. Kështu, skuadra e drejtuar nga Tuhel ka shansin për të fituar katër trofe. Edhe në Ligën e Kampionëve, PSG-ja (u shpall kampione e Francës pas pezullimit të kampionatit) është një hap përpara, pasi e ka siguruar kalimin në çerekfinale. Por edhe Bajerni ka mundësi shumë të mëdha për të kaluar në këtë tur, pas fitores 3-0 ndaj Çelsit në ndeshjen e parë të fazës së 1/8-ve.
Burimi: Gazzetta dello Sport/ Përktheu: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje