Leroi Sane nuk do ta rinovojë kontratën me Mançester Sitin, që i skadon në qershor të 2021-shit, por ai mund të largohet nga klubi anglez që këtë verë. E ka pohuar këtë fakt trajneri Pep Guardiola, gjatë konferencës së fundit për shtyp. “Sane i ka refuzuar dy apo tri herë propozimet tona për rinovimin, – ka thënë trajneri katalanas. – Nëse arrijmë akordin me një tjetër klub, mund të largohet në fund të këtij sezoni, në të kundërt do ta bëjë këtë gjë në fund të kontratës”.
Për sulmuesin gjerman ka një interesim serioz nga ana e Bajernit, që kërkon ta kthejë në atdhe pas atij dëmtimi të gjatë. Sulmuesi anësor nuk luan që prej 4 gushtit të 2019-ës, kur këputi ligamentin gjatë finales të “Community Shield” kundër Liverpulit. Këtë sezon ende nuk ka zbritur në fushë, por ndërprerja e gjatë e ka ndihmuar për fazën e rikuperimit. “Ka qenë jashtë fushave për një kohë të gjatë, por tani po stërvitet normalisht, pa pasur dhimbje. Po i bën hapat gradualisht”, – ka shtuar trajneri Guardiola më tej.

Lojtari gjerman la Shalken në vitin 2016 dhe kaloi në Premier Ligë me Mançester Sitin. Tani mund të kthehet në Bundesligë, por me fanellën e Bajernit, me të cilin ka prej kohësh një akord paraprak. Tani topin e kanë dy klubet, që do të diskutojnë në lidhje me çmimin e kartonit të Sane. Për Mançester Sitin nuk do të jetë e lehtë të rikuperojë 52 milionë eurot e shpenzuara për blerjen e Sane nga Shalke.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje