Policia e Shtetit do të shtohet me 500 efektivë të rinj, ndërsa shumë shpejt pritet që të miratohet edhe një ligj i ri, që parashikon zgjerimin e kompetencave për policitë bashkiake.
Lajmin e ka bërë me dije ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj gjatë një takimi paraditen e kësaj të shtune në Sarandë me kryetarët e bashkive Sarandë, Delvinë, Himarë, Finiq e Konispol dhe deputetët e qarkut Vlorë, përfaqësues e drejtues vendorë, Prefektin, drejtues të Policisë së Shtetit dhe IKMT, për të diskutuar për mbarëvajtjen e sezonit turistik, masat për mbrojtjen e mjedisit dhe kundër ndërtimeve pa leje, luftën antikanabis dhe çështje të tjera që lidhen me sigurinë.
“Kemi një polici të vogël ndër më të voglat në rajon. Kryeministri ka dhënë miratimin për shtimin e 500 punonjësve të rinj të policisë për të shtuar kapacitetet dhe për të rikonceptuar kapacitet e policisë”, është shprehur ministri Lleshaj.
Ndër të tjera, ai tha se “do të ketë një ligj të ri për policinë bashkiake për rritjen e nivelit për t’i shndërruar në një zgjatim të policisë së shtetit në nivelin lokal”.
Deputetët e zonës kanë ngritur edhe shqetësimin për vjedhjet në fshatrat e minoritetit, ndërkohë ministri është shprehur se “Kemi djem dhe vajza të rinj për t’u rekrutuar në policinë e shtetit nga minoritet për t’i lënë të shërbejnë po aty për një performancë më të lartë në këto zona”.
Lleshaj u ka lënë porosi drejtuesve të institucioneve edhe vijën bregdetare. “Nuk duhet të cenohet më tej, asnjë gurë dhe asnjë tullë pa leje”.
Ndër të tjera, Lleshaj është shprehur se do fuqizohet lufta ndaj kanabisit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje