Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla e cilësoi si të gabuar interpretimin dhe citimin që i është bërë Këshillit Europian në amendamentin e miratuar nga Parlamenti mbrëmjen e së enjtes, ku i kërkohet Shqipërisë që të përmbushë 15 kushte para hapjes formale të negociatave.
“Formulimi i amendamentit ishte i gabuar. Edhe zëdhënësja e Komisionit, Pisanero e tha që mënyra e formulimit…kur citon Këshillin e citon gabim”, deklaroi Balla në një konferencë për shtyp të thirrur në mesditën e kësaj të shtune.
Komenti mbi amendimet e paraqitura nga eurodeputetët e djathtë, me nismëtar eurodeputeten Kinga Gaal u bënë pas interesimit të gazetarëve, ndërkohë që objekti i Taulant Ballës për këtë dalje ishin dy opinionet e Komisionit të Venecias, që lidhen me emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe për paketën antishpifje.
Duke lexuar paragrafe të shkëputura të raportit, Balla tha se Venecia i ka dhënë të drejtë shumicës në të dyja rastet. “Venecia mbështet ecurinë e Reformës në drejtësi si dhe nevojën e një ligji që rregullon tregun e mediave elektronike në Shqipëri”, tha Balla.
Për mekanizmin zhbllokues, pra emërimin automatikisht të kandidatit të renditur i pari në listën e hartuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, kreu i grupit parlamentar socialist tha se Venecia këshillon parashikimin në Kushtetutë për të dyja rastet dhe pretendon se Komisioni “e ka vlerësuar si të paarsyeshme bllokimin e betimit të Arta Vorpsit” nga ana e Presidentit Ilir Meta.
Megjithatë, Balla u shfaq i përmbajtur që ta vlerësonte opinionin e Venecias si një fitore të mazhorancës, ashtu siç bëri Presidenca një ditë më parë, që e interpretoi atë si fitore të kauzës së 2 marsit.
“Opinionet duhen lexuar e analizuar me vëmendje, pa euforinë si tifozë të ndonjë ekipi të katëgorisë së tretë. Nuk është detyrë e Komisionit të Venecias të analizojë sjelljen e palëve në raport me zbatimin e ligjit, por e autoriteteve kompetente shqiptare. Është detyra jone si ligjvënës, që opinionet të mos i lexojmë me disa fjali të shkëputura, por në tërësinë e tyre. Parlamenti, si përfaqësues i sovranitetit të popullit ka përgjegjësi, që jo vetëm të zbërthejë çdo rekomandim të opinioneve, por edhe të adresojë hapat e duhur për zbatimin e tyre”, tha ai.
Në lidhje me opinionin për të ashtuquajturën paketa “Antishpifje”, Taulant Balla këmbëngul se Venecia nuk e rrëzon, por përkundrazi mes vërejtjeve dhe problematikave të identifikuara thekson nevojën e një ligji të tillë.
“Opinioni përfundimtar i Venecias, jo vetëm që nuk ka hedhur poshtë ligjin si antikushtetues, por ka përkrahur nevojën e një ligji të tillë për rregullimin e tregut të mediave elektronike në Shqipëri, pasi “problemet e identifikuara nga autoritetet shqiptare objekt i rregullimit juridik janë serioze. Disa sanksione të justifikueshme të ligjit administrativ mund të jenë të dobishme për të luftuar abuzimet në fushën e mediave online”, tha kreu i grupit parlamentar socialist, duke cituar raportin e Venecias.
Balla tha se mazhoranca do të reflektojë në projektligj rekomandimet e Venecias, me ngushtimin e fushës së zbatimit të ligjit, pra me përjashtimin nga ky ligj të blogjeve dhe përdoruesve individualë të rrjeteve sociale, rishikimin e parashikimit për identifikimin e përdoruesve të internetit, parashikimi në ligj i rregullave për përzgjedhjen e anëtarëve të AMA-s dhe Këshillit të Ankesave dhe rishikimi i mënyrës së zgjedhjes së këtyre anëtarëve, duke e “depolitizuar” procesin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje