Partia Demokratike ka reaguar lidhur me opinionet e Komisionit të Venecias për Gjykatën Kushtetuese si edhe ligjin “Antishpifje”.
Nënkryetari i PD, Edmond Spaho, përmes një deklarate për mediat është shprehur se opinionet e fundit të Komisionit të Venecias, provuan se 15 kushtet e integrimit nuk janë për Shqipërinë, por për Edi Ramën.
“Me Edi Ramën në krye të qeverisë, Shqipëria ka mbetur shumë mbrapa me integrimin europian të vendit, ka mbetur shumë mbrapa me krijimin e kushteve që qytetarët shqiptarë të gëzojnë të njëjtat të drejta si qytetarët europianë.
Edhe dje, vendimi i Parlamentit Europian për 15 kushtet përpara nisjes së negociatave, provoi se me Edi Ramën, shqiptarët vetëm humbasin kohë të çmuar. Kushtet për hapjen e negociatave vetëm sa shtohen nga viti në vit.
Kur mori pushtetin ishin vetëm 3, tani janë 15 kushte për t’u plotësuar, në mënyrë që Shqipëria të nisë bisedimet për anëtarësim”, deklaroi Spaho.
“Opinionet e fundit të Komisionit të Venecias, për Gjykatën Kushtetuese dhe për ligjin e censurës së medias, provuan se 15 kushtet e integrimit nuk janë për Shqipërinë, por për Edi Ramën.
• Ligji i censurës është vepër e tij.
• Bllokimi i Gjykatës Kushtetuese është, gjithashtu, vepër e tij me qëllim kapjen e saj”, vijoi Spaho.
Spaho deklaroi se me “vendimin e vet, Komisioni i Venecias e faktoi synimin e Edi Ramës për të kapur çdo organ të sistemit të drejtësisë, duke i grabitur Presidentit të drejtën kushtetuese për emërimin e anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese”.
Ndër të tjera, Spaho theksoi se ajo që na duhet për të zhbllokuar rrugën e integrimit europian është një parlament dhe një qeveri e dalë nga zgjedhje të lira e të ndershme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje