Albana Vokshi e Partisë Demokratike tha të dielën se kryeministri Edi Rama përkundër kërkesës së Komisionit të Venecias, po mban në garën për kreun e AMA-s, kandidatë politikë.
“Çfarë bën Edi Rama që të respektojë këtë vendim të Venecias, i cili është përfshirë si kusht për hapjen e negociatave?
Përgjigja është: Asgjë! Bën të kundërtën e asaj që i kërkohet.
Synon që, në kundërshtim me ligjin dhe me forcën e kartonave në Kuvend, të emërojë në krye të Autoritetit të Medias, Maklen Mishën, një individ thellësisht politik, siç emëroi në krye të institucionit për komunikimet elektronike, shefin e tij të protokollit”, tha Vokshi.
Më tej, ajo nënvizoi: “Maklen Misha, themelues i partisë G99 me Erion Veliajn, shkrues i fjalimeve të Edi Ramës, është projektuar të zërë vendin e lënë bosh nga i ati dhe të marrë drejtimin e AMA-s. Edhe 3 pseudokandidatët e tjerë, që mbushin garën formale, janë rrogëtarë të Edi Ramës dhe Erion Veliajt”.
Sipas Vokshit, kandidatët e propozuar nuk përmbushin as kushtin formal të vjetërsisë në punë.
“Me këto kandidime partiake, Autoriteti i Medias degradon në një gjykatë politike që ndëshkon gazetarët dhe mbyll portalet sipas interesit të Edi Ramës.
Media online mbetet burim kryesor i informimit të publikut shqiptar, mjeti kryesor i transparencës së aferave korruptive e kriminale të qeverisjes së Edi Ramës.
Prandaj, qëllimi i tij është shuarja e çdo zëri kritik ndaj qeverisjes së dështuar, megjithë koston e rëndë për shqiptarët se kjo sjellje autokrate e kryeministrit na pengon dhe na vonon rrugën e integrimit European”, tha Vokshi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje