Nga 21 qershori e deri më 23 tetor, ditën e 80-vjetorit të lindjes së tij, kampionë dhe ish-kampionë të sportit dhe jo vetëm, do të postojnë fanellat e tyre si homazh për të vetmin futbollist në histori që ka fituar tre Botërorë, Pele. Fanellat më pas do të shiten në ankand nga “Pelé Foundation” dhe të ardhurat do të shkojnë për tre ente bamirësie braziliane.
Për të treguar sensin e kësaj historie dhe për të shpjeguar arsyet që mbështesin iniciativën në rrjetet sociale #Pelegacy, duhet shtypur tasti “rewind”. Qytetit i Meksikos, 21 qershor 1970. Finalja e Kupës së fundit “Rime”: kush fiton, e merr në shtëpi përfundimisht, sepse krijuesi Zhyl Rime kishte vendosur që kupa e tij t’i përkiste kombëtares që do ta fitonte tri herë. Italia, e karikuar pas 4-3-shit epik ndaj Gjermanisë Perëndimore në gjysmëfiale, reziston një pjesë. Brazili fiton 4-1, por imazhi simbol i kësaj ndeshjeje është fluturimi i Pelesë, i cili fiton duelin me Burgniç, duke shënuar me kokë golin e parë. Fenomeni brazilian sfidon ligjin e fizikës në këtë rast. Brazili i “perlës së zezë” siguron kupën dhe numri 10 bëhet përfundimisht mit, jo vetëm në vendin e tij.

Pele është i vetmi lojtar në botë që ka fituar tre Botërorë (1958, 1962 dhe 1970). Për FIFA-n është futbollisti i shekullit, apo edhe “Topi i Artë” i shekullit. Ka një rekord për golat e shënuar, 685 gola në 730 ndeshje zyrtare me klubet. Bashkë me miqësoret, golat bëhen 1154 në 1221 ndeshje, 77 gola me fanellën e Brazilit në 92 ndeshje zyrtare nga 1957-a në 1971-shin. “O Rei” (Mbreti) ka fituar 10 herë me Santosin kampionatin Paulista dhe 11 herë ka qenë shënuesi më i mirë i turneut. Ai është trashëgimi historiko-sportive e njërëzimit. E quanin “Mbreti”, më i madhi, sepse të tjerët vijnë pas tij. Deri më 23 tetor, shumë miq të tij, ish-lojtarë, ata që luajnë ende, kampionë të sporteve të tjerë, fansa dhe tifozë të thjeshtë kanë vendosur ta nderojnë me #pelegacy. Një fushatë në rrjetet sociale që ka mbi ta gjitha një qëllim bamirës.
Ideja është që kampionët e sportit dhe jo vetëm të postojnë një foto të fanellës së tyre në profilet #Pelegacy, #Pele dhe #PeleJerseyExchange, për t’ia dërguar më pas direkt kampionit. Fanellat më pas do të shiten në ankand, në nëntor, për llogari të “Pelé Foundation”. Të ardhurat do të kalojnë në tre organizata bamirësie, që po kujdesen për emergjencën e koronavirusit.

Mes kampionëve që i kanë thënë menjëherë “Po” kësaj iniciative janë Lionel Mesi, Tom Bredi, Kilian Mbape, Kaka, Antetokounmpo, LeBron Xhejms etj. Por #Pelegacy nuk do të jetë vetëm një iniciativë me protagonistë kampionët e sportit. Të gjithë mund t’i bëjnë homazh kampionit Brazilian, duke publikuar foto dhe video, apo mund të dhurojnë çdo gjë që mund të shitet në ankand.
Pele do të dërgojë një mesazh falënderimi për të gjithë pjesëmarrësit, si dhe fanella të firmosuara apo dedikime të ndryshme. #Pelegacy do të përfundojë me një ceremoni që do të transmetohet direkt në platforma të ndryshme mediatike. Braziliani, i rrethuar nga gjithë fanellat e dhuruara, do të tregojë histori të jetës së tij dhe do t’i falënderojë të gjithë për mbështetjen, që sigurisht nuk do t’i mungojë. Një mbret si Pele e meriton.
Burimi: Gazzetta dello Sport/ Përktheu: Gazeta “Si“
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje