Ministrja e Arsimit, Besa Shahini akuzon segmente të opozitës dhe portale pranë saj për sulme përëmuese që shënjestrojnë dialektin dhe prejardhjen e saj nga Kosova, gati-gati raciste dhe për mbjellje tek të rinjtë urrejtje mes shqiptarëve.
“Të thuhet “Kthehu prej nga ke ardhur!” ka qenë e papranueshme gjithmonë, por t’i thuhet një shqiptari me prejardhje nga Kosova në 2020-tën, është skandaloze! Ky sentiment anti-shqiptar, gati racist i disa opozitarëve, është në mospërputhje të plotë me realitetin e një shkëmbimi dhe bashkëveprimi serioz të bashkëkombasve tanë në të gjithë rajonin”, shkroi ministrja në reagim në rrjetet sociale.
Shahini këmbëngul se protestat e fundit të maturantëve u nxitën nga opozita.
“Dëgjova edhe disa të rinj duke artikuluar frazën e ulët “Kthehu prej nga ke ardhur!”. Është tejet e rrezikshme për të ardhmen e popullit tonë nëse mbjellim sentiment anti-shqiptar tek të rinjtë”, vijon ajo.
Ministrja thotë se nuk mendon se opozita është vërtetë antishqiptare, por e sheh këtë si reagim dëshpërues nga mungesa e përkrahjes popullore dhe mungesa e argmenteve kundër politikave të PS-së në arsim.
“Ata janë të vetëdijshëm se përderisa me qeverisjen e tyre kanë jetësuar dhe mundësuar shitblerjen e diplomave false, nuk kanë argumente të kritikojnë standardin që po kërkojmë ne në arsimin e lartë. Partia që ka shitur vendet e punës për mësuesit nuk ka fytyrë të kritikojë depolitizimin e punësimit të mësuesve përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”. Partia, e cila përmes “altertekstit” ka çoroditur totalisht shkollat shqiptare për gati një dekadë, dëmi i të cilit po merr edhe një dekadë shtesë të riparohet, nuk ka se si të kritikojë politikën e librave falas nga botuesit më të mirë botërorë, që po u jepen tashmë falas 2/3 e nxënësve të arsimit parauniversitar”, deklaron Shahini.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje