Politike

Këshilli Politik, PS kërkon pakt në bllok për të gjitha çështjet

Socialistët kanë kërkuar mbledhjen e Këshillit Politik pasditen e së mërkurës, ku palët të dorëzojnë paraprakisht propozimet e tyre për të gjitha çështjet ende pa dakordësi mes palëve dhe nëse gjendet konsensus kalimi i tyre në bllok.

“Urgjenca” me të cilën Gjiknuri kërkon mbledhjen e Këshillit Politik lidhet me përfundimin e afatit të punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Reformës Zgjedhore, përmes të cilit do të “certifikohet” konsensusi jashtëparlamentar.

Gjiknuri ka propozuar mbledhjen në orën 17:00, ku pret në bllok dorëzimin e propozimeve për të gjitha çështjet që ndajnë palët, përfshirë këtu edhe formulën e përzgjedhjes së 12 anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe më pas miratimi i të gjitha ndërhyrjeve që do të bëjë Kuvendi në Kodin Zgjedhor.

Kjo lëvizje e mazhorancës mbërrin pas paralajmërimit nga ana e Kryeministrit Edi Rama, që një ditë më parë tha se do të presë deri më datë 30 qershor, kohë kur përfundon afati i Komisionit të Reformës Zgjedhore në Parlament dhe më tej me, apo pa dakordësinë e opozitës do të miratojë reformën zgjedhore.

“Brenda javës mbaron procesi i diskutimeve mes mazhorancës dhe opozitës jashtëparlamentare për marrëveshjen e Këshillit Politik. Në të gjitha rastet me dakordësi, apo pa dakordësi detajet do i dorëzohen Komisionit të Reformës Zgjedhore, deri me 30 qershor, kur mbaron dhe afati i punës”, tha Rama.

Këtë deklaratë, kreu i Qeverisë e bëri gjatë një takimi të zhvilluar në distancë me Këshillin Koordinues të Diasporës. Rama u premtoi emigrantëve të drejtën për të votuar, por jo në zgjedhjet e radhës. Zotimin se në zgjedhjet pas zgjedhjeve të radhës, emigrantët do të votojnë e dha edhe përfaqësuesi i socialistëve në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë