Ish-kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi Ardian Dvorani i ka dërguar një letër publike zëvendës kryetares dhe anëtares së KED, Vitore Tusha.
Në një letër të gjatë, pikërisht ditën kur komisioni i Ekonomisë, kalon kandidaturën e Ilir Metës për drejtimin e KLSH-së, Dvorani pranon formalisht vendimin e KLGJ-së, duke shpjeguar ndër radhë se po shqyrton mundësinë për ta ankimuar, pasi sipas tij ai është shkarkuar në mënyrë të paligjshme.
Dvorani radhit shkeljet që sipas tij ka bërë KLGJ-ja në rastin e tij duke evidentuar faktin se vendimi për mbarimin e mandatit nuk është zbardhur ende nga KLGJ e për pasojë nga ana formale vendimi nuk ka efekt.
“…Sikurse jeni në dijeni, në datën 10 Prill 2020, Presidenti i Republikës i është drejtuar KLGJ-së me një kërkesë, e cila i bëhet me dije edhe KED-së, me anë të së cilës kërkonte që KLGJ të vendoste/konstatonte mbarimin e mandatit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani, me efekt nga data 13 Mars 2020.
Nga njëra anë, kjo lëvizje e Presidentit të Republikës ka pasur si efekt ligjor të menjëhershëm pengimin a pezullimin e veprimtarisë së KED.
Meqenëse sipas Kushtetutës dhe ligjit ushtrimi i funksionit të Kryetarit të KED është i lidhur me ushtrimin e funksionit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, çdo veprim dhe procedurë e zhvilluar prej meje në cilësinë e Kryetarit të KED, aq më tepër në rrethanat kur do të shqyrtoheshin kandidaturat për vendet vakante, do të përbënte një arsye dhe motiv thelbësor që cilido kandidat të kundërshtonte në gjykatë procedurën e ndjekur dhe vendimmarrjen e KED për ndalimin eventual të kandidimit të tyre”, thuhet në letrën e Dvoranit.
“Njëkohësisht, – shkruan ai, – në cilësinë e Kryetarit dhe të anëtarit të KED, nuk mund të shmangesha formalisht nga këto funksione, për shkak se situata e krijuar me kërkesën e Presidentit drejtuar KLGJ-së dhe vendimi i KLGJ për ta bërë çështje të rendit të ditës, nuk bëjnë pjesë në rastet e parashikuara nga ligji ku cilësohen pengesat ligjore të pjesëmarrjes në mbledhjet dhe veprimtaritë e KED, raste në të cilat paraqitet heqje dorë dhe procedurat përkatëse mund të drejtoheshin nga Zëvendëskryetari i KED”.
“Për fat të keq, sipas vlerësimit tim, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, KLGJ e bëri menjëherë çështje të rendit të ditës kërkesën e Presidentit dhe të ashtuquajturat procedura që ndoqi KLGJ zgjatën përmbi 2 muaj, duke sjellë kështu efekte shumë negative penguese në ecurinë dhe ritmet e veprimtarisë së KED”, shkruan ai.
Dvorani vë në dukje se vendimi i KLGJ-së i marrë në datë 11 Qershor ende nuk është zbardhur dhe e vetmja gjë e bërë publike është se KLGJ ka vendosur që gjyqtarit Ardian Dvorani i “ka mbaruar detyrimi të ushtrojë detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë”.
“Kjo lloj vendimmarrje, e cila në vlerësimin tim është haptazi e paligjshme, pavarësisht vlerësimeve që po bëj për mundësinë e ndjekjes së kundërshtimit sipas ligjit, sjell si efekt, jo vetëm pengesën që të ushtroj funksionet e gjyqtarit dhe zëvendëskryetarit të Gjykatës së Lartë, por njëkohësisht, së paku, edhe mosqenien time në funksionin e Kryetarit të KED.
Në fakt, sipas ligjit, efekte të plota formale të këtij “vendimi” të KLGJ vijnë vetëm me njoftimin që duhet të më bëhet për vendimin e arsyetuar të KLGJ. Për të mos e shtuar më tej antikushtetueshmërinë ekzistuese të procedurës së ndjekur deri më tani dhe të vendimmarrjes, ky “vendim” i KLGJ-së duhet të jetë i arsyetuar sepse ndryshon në thelb statusin e një gjyqtari duke më ndaluar të vijoj ushtrimin e detyrës së gjyqtarit të Gjykatës së Lart”, shkruan ai.
Ndryshe nga pritshmëritë, Dvorani nënvizon se ka kaluar më shumë se 10 ditë, dhe ende nga KLGJ nuk ka një vendim të arsyetuar ndaj tij.
Sipas tij, kjo vonesë nga ana e KLGJ-së, nuk duhet të vijojë të sjellë vonesa të mëtejshme në realizimin e mbledhjeve dhe kryerjen e veprimtarive të KED, ndërkohë që prej javësh relatimet lidhur me kandidaturat për dy vendet vakante të Gjykatës Kushtetuese janë në pritje për shqyrtim në mbledhjen e KED.
“Prandaj, do të kërkoja nga Zëvendëskryetarja e KED 2020, znj. Vitore Tusha, si edhe nga anëtarët e tjerë të Këshillit të vlerësojnë menjëherë të gjitha këto rrethana, të marrin nismat përkatëse dhe të kryejnë veprimet e nevojshme paraprake për njoftimin e kandidatëve lidhur me relacionet e përgatitura për gjetjet në procedurat e verifikimit të kandidaturave të tyre, si edhe për të përcaktuar menjëherë thirrjen e mbledhjes së KED me rend dite shqyrtimin e gjetjeve në procedurat e verifikimit të kandidaturave për një vend vakant, vakancë e parakohshme, të shpallura nga secili organ emërtese, Kuvendi dhe Presidenti i Republikës”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje