Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti njoftoi mëngjesin e së enjtes së ka anuluar vizitën në Shtëpinë e Bardhë, ku ishte planifikuar pjesëmarrja në bisedimet e ndërmjetësuara nga Uashingtoni me Serbinë.
“Për shkak të zhvillimeve të reja në Prishtinë si rezultat i akuzave të dorëzuara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, më duhet të kthehem në Prishtinë për t’u marrë me situatën. E kam njoftuar Ambasadorin Grenell se nuk mund të marr pjesë në takimin e datës 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë”, deklaroi ai.
Isa Mustafa e shtjelloi edhe më tej vendimin e Kryeministrit Hoti për të mos shkuar në Uashington. Kreu i LDK-së deklaron se nuk është koha për protagonizma dhe se Kosova ka nevojë që të shfaqet e bashkuar në këtë proces.
“Në Uashington shkohet me përkrahje të partive të koalicionit dhe të opozitës, sikurse edhe të të gjitha institucioneve shtetërore, jo vetëm me bindjen se kush duhet t’i prijë delegacionit. Është e mjerueshme të mendohet e të shkruhet se z. Hoti si Kryeministër e ka tani shansin të shkojë e t’i prijë delegacionit, pasi tani nuk është Thaçi për shkak të Gjykatës Speciale. Nuk kemi të bëjmë me Z. Thaçi dhe z. Hoti, por kemi të bëjmë me shtetin e Kosovës. Bashkëpunimi ynë me SHBA-të dhe BE nuk mund dhe nuk duhet të lidhet me proceset dhe procedurat e Dhomave të Veçanta të Gjykatës Speciale”, thotë Mustafa.
Anulimin e vizitës në Shtëpinë e Bardhë e njoftoi më herët Presidenti Hashim Thaçi, për shkak të akuzave të ngritura ndaj tij dhe kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli për krime lufte, gjenocid dhe tortura gjatë viteve të luftës dhe pas tyre.
Ndërkohë dje, pa dalë ende në një deklaratë për shtyp për akuzat e hedhura nga Gjykata e Hagës për krime lufte, president i Kosovës, Hashim Thaçi ka informuar të dërguarin e Trump për dialogun, Richard Grenell se nuk do të shkojë në samitin e Shtëpisë së Bardhë.
Lajmi u bë i ditur nga Grenell, i cili ka thënë se respekton vendimin e Thacit për te anuluar udhëtimin e tij në Uashington, duke mos marrë pjesë në negociatat e paqes.
“Mirëpres vazhdimin e bisedimeve mes presidentit të Serbisë, Aleksandër Vucic dhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit”, shkruan ai.
Pas akuzave ndaj Presidentit dhe ish-kreut të Kuvendit, Avdullah Hoti u vendos nën presionin politik, mediatik e publik që të refuzojë pjesëmarrjen në bisedimet me Serbinë, qofshin aato në Bruksel, qofshin në Uashington.
Në lidhje me akuzat ka reaguar edhe klasa politike në Prishtinë e Tiranë. Në të dyja kryeqytetet është theksuar se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe rrëzohen krimet e pretenduara nga gjykata speciale e Kosovës me seli në Hagë.
Ndërkohë, vetë prokurori që ka ngritur akuzat thotë se ato janë kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit si individë dhe nuk njollosin luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje