Lidhja e ngushtë me shishen e vodkës i ka kushtuar Uesli Shnejderit largimnin nga Real Madridi dhe i ka hehdur në “erë” dy dasma. “Nuk isha i vetëdijshëm për faktin se të transferohesha te Reali do të thoshte edhe të transferohesha në jetën e natës së Madridit, – ka treguar holandezi në biografinë e tij, – që më kishte përthithur. Isha i ri, po shijoja suksesin dhe e adhuroja atë vëmendje. Aty gjërat nisën të shkonin keq në jetën time”.
Kur Shneijder zbarkoi në “Santiago Bernabeu” në vitin 2007 nga Ajaksi, ishte 23 vjeç dhe konsiderohej një nga talentet më të mëdha të futbollit europian. Pastaj sirenat e jetës së natës e joshën dhe aty ishte fillimi i fundit të tij. “Nuk kam përdorur drogë, – ka saktësuar ish-mesfushori, – por pija shumë alkool, duke qenë një nga yjet e Real Madridit. Bëja një jetë të shthurur, por gjithçka mbulohej edhe kur isha komplet i dehur dhë zvarritesah rrugëve, duke shpenzuar mijëra euro për të pirë në çdo lokal. Nuk bëja rezistencë dhe personat më trajtonin si një yll”.

E lodhur nga stili i jetës së shthurur të bashkëshortit, që bashkë me vodkën po “pinte” edhe karrierën e tij futbollistike, gruaja e parë e Shneijder, Ramona Strekstra, kërkoi divorcin dhe u largua bashkë me djalin Xhesi. Edhe martesa e dytë me modelen Jolante Kabau përfundoi në të njëjtën mënyrë. “Nuk po e kuptoja që mikja ime më e mirë ishte shishja e vodkës. Ma vunë në dukje të tjerët, Rud van Nistelroi dhe Arjen Roben më kanë folur shumë, duke më kërkuar të vija rregull në jetën time, sepse nuk do të rezistoja gjatë me atë që bëja. Nuk isha i përqendruar te sjellja profesionale dhe kjo gjë nuk ishte e denjë për Real Madridin. Gënjeja veten, duke menduar se po bëja mirë, por në fakt qëndroja në skuadër vetëm falë inteligjencës sime futbollistike, fizikisht po bija shumë”, – tregon holandezi.
Pas një sezoni, Reali i tregoi derën Shnejderit, i cili kaloi tek Interi, ku luajti 4 vjet dhe ishte protagonist i tripletës historike zikaltër në 2010-ën. Më pas u transferua te Gallatasaraji, ku luajti 4 sezone, e më pas te Nisa në Francë dhe Al-Gharafa në Katar, për ta mbyllur karrierën verën e kaluar.
“Kisha shumë miq të gabuar, femra dhe alkool, jeta më iku nga duart në një mënyrë të tmerrshme. Nuk e di çfarë më shtyu ta bëjë këtë, Egoja? Paratë? Fuqia? Luksi? Kur hoqa dorë dhe u rehabilitova, i tregova për gjithçka Jolantes, gruas sime të dytë. Tani po vuaj, sepse ajo jeton në Amerikë, ishte gruaja e ëndrrave të mia, por e humba, sepse shkatërrova gjithçka”.
Burimi: Gazzetta dello Sport/ Përktheu: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje